Von der Leyen: Treguam besim të tepruar

0
13

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të mërkurën se për ritmet e shumë kritikuara të vaksinimit në vendet e bllokut duhet fajësuar pjesërisht fakti që BE-ja tregoi optizimëm dhe besim të tepruar tek vetja si dhe veproi me shumë vonesë.
Komentet bëhen ndërkohë që Bashkimi Evropian e kaloi shifrën prej 500,000 vdekjesh nga virusi.
Zonja Von der Leyen i doli në mbrojtje strategjisë së përgjithshme të BE-së për të mposhtur pandeminë me një plan të unifikuar vaksinash për të 27 vendet e saj, edhe pse ajo pranoi se ishin bërë gabime në përpjekjet për të blerë sa më shpejt sasi të mjaftueshme vaksinash për të 447 milionë qytetarët e bllokut.
“Ende nuk jemi atje ku duam të jemi,” tha zonja Von der Leyen në seancën parlamentare të BE-së.
Kritikat e ashpra kanë vazhduar prej javësh, pasi fushata evropiane e vaksinimit nuk arriti ritmin e duhur krahasuar me Britaninë, Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Numri i lartë i vdekjeve në Bashkimin Evropian është në kontrast të dukshëm me standardet e mirëqenies dhe aftësitë e kujdesit shëndetësor me të cilat krenohet blloku prej 27 anëtarësh.
Ndërkohë, si vend, Shtetet e Bashkuara, me një popullsi prej 330 milionë, zënë vendin e parë në botë me më shumë se 468,000 vdekje.
Zonja Von der Leyen i qëndroi premtimit për të vaksinuar 70% të popullsisë së rritur të BE-së deri në fund të verës dhe fajësoi kompanitë e mëdha farmaceutike që nuk e kanë rritur sa duhet prodhimin e vaksinave në përputhje me përparimet shkencore të arritura në këtë fushë./VoA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here