Vjen reagimi i parë edhe nga ambasadori Heldt pas heqjes së taksës, ka disa fjalë edhe për bisedimet me Serbinë

Kosova

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Christian Heldt ka deklaruar se vendi i tij mirëpret vendimin e qeverisë Kurti për të hequr plotësisht tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në një seri postimesh në Twitter, diplomati gjerman shkruan se ky është një parakusht i rëndësishëm për rifillimin e dialogut për normalizim me Serbinë.

“Detyra tani është të rindërtohet gradualisht besimi për procesin e udhëhequr nga BE”, tha Heldt duke shtuar se ankesat ekzistuese si barrierat jo-tarifore duhet të zgjidhen nga Kosova dhe Serbia brenda kornizës ekzistuese të BE-së.

“BE ka ofruar mbështetjen këtu, e cila duhet të merret me krijimin e një niveli të qarkullimit të mallrave nga të dy palët tani. Të dyja vendet, Kosova dhe Serbia duhet të përballen me sfidën e pashembullt me koronavirusin. Kjo nuk është koha për manovrime politike, por për t’u përqendrua r në tejkalimin e krizës shëndetësore”, ka thënë diplomati gjerman.

Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.