Vitia dhe Abbott diskutojnë për menaxhimin e Covid-19 në Kosovë

Kosova

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia priti sot në takim ambasadorin britanik në Kosovë, Nicholas Abbott me të cilin diskutuan për situatën aktuale në Kosovë për sa i përket corona virusit Covid-19.

“Ambasadori Abbott përgëzoi ministrin Vitia për punën e bërë nga Ministria dhe institucionet e tjera në përgjigje ndaj situatës epidemiologjike me coronavirusin Covid-19 dhe shprehu mirënjohjen e tij për përfshirje në këto masa edhe të komuniteteve pakicë në Kosovë, veçanërisht të komunitetit serb.

Ambasadori theksoi nevojën e bashkëpunimit duke injoruar dallimet politike për sa i përket qasjes në menaxhimin e situatës me Covid-19 në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media.

Vitia e ka informuar ambasadorin Abbott lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19 në Kosovë.

Gjithashtu, shprehu falënderimin e tij për mbështetjen që në vazhdimësi Kosovës i ka dhënë Mbretëria e Bashkuar si në rrafshin politik ashtu edhe në atë shëndetësor si dhe gatishmërinë për të shtuar angazhimet në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës së Kosovës pa dallim.