Varfërohet Veriu, Tirana më e pasur/ Kukësit i duhen 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar dhe 37 vjet kryeqytetin

Lajme Shqipëri

Nga viti në vit, të dhënat ekonomike të 12 qarqeve të vendit po tregojnë zhvillim të pabarabartë. Sipas INSTAT, në 10 vitet e fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni i Veriut u rrit mesatarisht me 2.4% në vit, ndërsa Jugu me 2.6%.

Qarku më i varfër, Kukësi, shënoi rënie të ekonomisë gjatë dekadës me 2.7%, duke u varfëruar më tej. Zhvillimi ekonomik i rajoneve është ndikuar negativisht nga emigracioni i lartë, teksa mungojnë politikat zhvillimore me fokus qarku. Ekspertët bëjnë thirrje për një diagnozë të re të varfërisë dhe projekte që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të qarqeve të varfra

Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare. Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në vitin 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto të Rajoneve në të cilin u rezultoi se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie në vitin 2019, Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%. Në të kundërt, qarqet me rritjen ekonomike të lartë ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25 dhe Tirana mbi 2.5%.

Në rang vendi, ekonomia u zgjerua me 2.1% në vitin 2009. E ndarë sipas rajoneve, qendra ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani u rritën mbi mesataren kombëtare me 2.2%. Rajoni i Veriut me qarqet e Dibrës, Kukësit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës u rrit me 2.1% thuajse në mesataren kombëtare, kryesisht prej zgjerimit të ekonomisë së Durrësit, i cili në 2019-n u ndikua nga zhvillime pozitive në turizëm. Rajoni i Jugut me qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës u rrit 1.78% me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare, për shkak të ndikimeve negative në ekonominë e Beratit.