UP-ja distancohet nga deklaratat e Ardian Kastrati dhe do ta trajtoj rastin e tij

Kosova

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar dje në llogarinë e tij në facebook nga Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.
UP-ja ka njoftuar se distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.
“Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuar nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij, që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre, të ruajnë imazhin e UP-së”, thuhet në komunikatë të lëshuar nga UP.

Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi.