Tirja, sanitarja e cila u arrestua se i mori 8 mln lekë vajzës së një pacienteje të sëmurë me Covid-19, duke e mashtruar se do kujdesej për të ndërsa ishte e shtruar në spital, ishte vetëm maja e ajsbergut.
Prokuroria thotë se personat me detyrë infermierë apo sanitarë në spitalin “Shefqet Ndroqi” kishin krijuar një skemë të mirëfilltë me qëllimin e vetëm kriminal që të përfitojnë sa më shumë në kurriz të pacientëve të sëmurë me sëmundjen e Covid-19 dhe familjarëve të tyre.
‘Këta persona në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në këtë situate pandemie, në vend të solidaritetit dhe mbi të gjitha përkushtimit për detyrën që duhej të demonstronin, e trajtonin detyrën si një privilegj nga i cili duhej të përfitonin çdo ditë dhe gjithnjë e më tepër” informon prokuroria e Tiranës.
Këta persona në mungesë të plotë të përgjegjësisë që i ngarkon detyra, në mungesë të plotë të solidaritetit, në shkelje totale të ligjit dhe të moralit shoqëror kanë treguar sesi mund të njolloset këmisha e bardhë e cila duhet të përfaqësojë gjithë solidaritetin dhe përkushtimin ndaj pacientëve dhe jo ngritjen në sistem të abuzimit me detyrën dhe përfitimit në kurriz të pacientëve dhe të familjarëve të tyre.
I përket veprimtarisë së mëtejshme hetimore zbulimi eventual i rasteve të tjera apo i personave të tjerë të cilët mund të jenë të përfshirë apo që kanë përfituar në kurriz të ushtrimit në mënyrë të përkushtuar të detyrë” vijon njoftimi i prokurorisë.
Tre infermieret e ndaluara
Me urdhër të prokurorisë sot janë ndaluar edhe tre infermiere si dhe një sanitare e këtij spitali.
Mira Bushi, lindur dhe banuese në Tiranë, me detyrë infermiere e spitalit universitar ”Shefqet Ndroqi”, si person i dyshuar per kryerjen e vepres penale te ”Shpërdorimit te detyrës” dhe ”Mashtrimit” parashikuar nga neni 248 dhe 143/2 i K.Penal
Sheqerije Koci, lindur në Librazhd dhe banuese në Tiranë, me detyrë infermiere e spitalit universitar ”Shefqet Ndroqi”, si person i dyshuar per kryerjen e vepres penale te ”Shpërdorimit te detyrës” dhe ”Mashtrimit” parashikuar nga neni 248 dhe 143/2 i K.Penal
Sidorela Çela, lindur në Pogradec dhe banuese në Elbasan, me detyrë infermiere e spitalit universitar ”Shefqet Ndroqi”, si person i dyshuar per kryerjen e vepres penale te ”Shpërdorimit te detyrës” dhe ”Mashtrimit” parashikuar nga neni 248 dhe 143/2 i K.Penal
Rukije Hoxhaj, lindur dhe banuese në Tiranë, me detyrë sanitare e spitalit universitar ”Shefqet Ndroqi”, për veprën penale të ”Mashtrimi” parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal
Procedimi
Procedimi penal ndaj Tire Alldervishi për kryerjen e veprës penale të ”Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2 te Kodit Penal u registrua më 13 janar 2021.
Tirja u padit nga vajza e një pacienteje pasi sipas saj, i ka marrë disa shuma parash të konsiderueshme për ti shërbyer mamasë së saj e cila ishte e shtruar në spital me Covid 19, duke ju prezantuar si inferimiere ndërkohë që ishte sanitare e spitalit.