Sot mbërrijnë në Shqipëri dozat e para të vaksinës AstraZeneca

Lajme Shëndetësia Shqipëri

Rama këtë e ka quajtur lajm të mirë duke thënë se menjëherë do të filloj vaksinimi i mësuesve.

“LAJM I MIRË. Pasnesër mbërrijnë 38 400 DOZAT E PARA TË VAKSINËS ASTRAZENECA dhe nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve”, shkroi Rama të mërkurën.

Të mërkurën deklaratë dha edhe ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.

Ajo deklaroi se është drejt përfundimit vaksinimi i stafeve mjekësore në të gjithë vendin.

Ndërkohë që në 24 orëshin e fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar vdekjen 16 qytetarëve të infektuar me COVID-19. Gjatë kësaj periudhe kohor janë regjistruar 602 raste të reja nga 3077 teste të kryera dhe 761 të shëruar, përderisa janë kryer 1080 vaksinime antiCOVID-19 ose 22.693 që nga fillimi i vaksinimit.

Që nga shpërthimi i COVID-19 në Shqipëri 115 mijë e 442 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Prej tyre 78 mijë e 259 janë shëruar. Kurse betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 2002 pacientë.

Aktualisht në Shqipëri janë 35 mijë e 181 raste aktive.