Sot është ditëlindja e Naim Frashërit

Sociale

Naim Frashëri

Figura qendrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri (1846-1900), bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin “Zosimea”. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.

Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.

Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.

Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres. Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit.

Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi e afroi letërsinë me popullin, duke trajtuar tema të reja, të ndryshme nga ato të letërsisë së vjetër, temat e problemet e kohës.

Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar. Tradita që krijoi Naimi, është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë sonë të sotme. Naimi më tepër se shkrimtar, është poeti më i madh i Rilindjes sonë Kombëtare, është atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

Vepra

Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885)
Shqipëria (1880, botuar më 1897)
Bagëti e Bujqësi , 1886
Dëshira e vërtetë e shqiptarëve (O alithis pothos ton Alvanon)
Vjersha për mësonjtoret e para
E këndimit të çunavet këndonjëtoreja, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare)
Histori të përgjithshme
Lulet e verës, 1890
Mësimet, (proza patriotike dhe të moralit)
Fjala flutarake, (vjersha) 1894
Historia e Skënderbeut, (poemë epike) 1898
Qerbelaja (poemë fetare)
Perëndia, 1890
Fjalët e Qiririt (publikuar për herë të parë në numrin e parë të revistës “Drita”)