Pavarësisht reshjeve të mëdha të borës në vend, Ministria e Infrastrukturës njofton se të gjitha rrugët nacionale, rajonale dhe autoudhët janë të kalueshme.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në të gjitha rrugët, të cilat janë në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, ka pasur intervenime me kripë dhe largimin e borës në: Gjilani 1 dhe 2, Prishtina 1 dhe 2, autoudhët R7, N9, R6, Ferizaj 1 dhe 2, Gjakova 1 dhe 2, Peja 1 dhe 2, Prizreni 1 dhe 2, Mitrovica 1 dhe2.
Për shkak të reshjeve të borës të kohëpaskohshme, në 24-orëshin e fundit dhe temperaturave nën zero (-4) u intervenua disa herë me kripë, si dhe pastrim të borës në autoudhën R6 Segmenti Doganaj – Hani i Elezit. /Zëri
Ndërsa për shkak ngricave po intervenohet në shpërndarjen e kripës në të gjitha rrugët e regjionit të Prizrenit 2: M25 Prizren-Morinë, R115 Prizren – Prevallë , R113 Zhur -Dragash- Restelicë, R114 Dragash – Brod, R222 Brezne – Zhur.
“Peja është njëra nga komunat që ka pasur reshje më të mëdha të borës dhe është intervenuar në vazhdimësi për t’i mbajtur rrugët e qarkullueshme. Në rrugën N9 Pejë-Bogë bëhet largimi i borës nga rruga me hedhëse (frezë), pasi sasia e borës është e madhe dhe ka filluar ngushtimi i rrugës. Bëhet shpërndarja e kripës kundër ngricave. Të gjitha rrugët janë të kalueshme për qarkullim”, thuhet në njoftim. /Zëri