Shqiptari ekzekutohet jashtë shtëpisë së tij në Islandë

Bota Kosova



Një shqiptar është vrarë në një atentat jashtë shtëpisë së tij në Reikjavik të Islandës. Mediat lokale kanë bërë publike identitetin e tij. Bëhet fjalë për Armando Beqirin, i cili u vra 3 ditë përpara se të mbushte 33 vjeç.
Mësohet se i riu shqiptar jetonte prej vitesh në Islandë. Ai punonte atje si roje sigurie. Armando Beqiri bashkëjetonte me një grua islandeze, e cila ishte shtatzënë. Gjithashtu çifti kishte edhe një fëmijë të vogël.
Kolegët dhe miqtë e Beqirit kanë treguar se ai ishte shumë punëtor, i ndershëm, miqësor dhe i besueshëm. Sipas asaj që shkruajnë mediat, 33-vjeçari u qëllua 5-10 herë me armë zjarri. Plumbat e kanë prekur në trup dhe kokë. Vrasja është cilësuar nga autoritetet si një “ekzekutim i pastër”.
Menjëherë pasi mbërritën në vendngjarje policia arrestoi një person. Sipas burimeve për mediat, bëhet fjalë për një lituanez i cili do të qëndrojë në paraburgim deri të premten. Po ashtu, të hënën në darkë janë bërë tre arrestime të tjera.
“Tre persona janë arrestuar pas një operacioni të gjerë nga policia në kryeqytet, në lidhje me hetimet për vrasjen në fundjavë”, thuhej në një njoftim, por autoritetet nuk japin më shumë detaje./tvklan