Shqiptarët palestinezë kërkojnë vendosjen e kontakteve me vendin e origjinës

Bota

Familja Arnavuti u vendos në tokat e palestinezëve, sipas disa gojëdhënave, gjatë ekspeditës së Ibrahim Pashës, djalit të Mehmet Ali Pashës, sundimtarit të Egjiptit. E vetmja gjë që i ka ngelur familjes Arnavuti trashëgim nga historia është mbiemri, që ka kuptimin e atdheut të tyre të dikurshëm, me të cilin ata kanë dëshirë të kenë kontakte.

Familja Arnavuti jeton në Jeruzalem (Kuds dhe Akka), qytetet më të rëndësishme të Palestinës historike, ku krahas arabëve dhe hebrenjve, kanë gjetur strehë edhe kurdë, turq dhe çerkezë.

Shqiptarët palestinezë, numri i të cilëve është afërsisht 550, kanë marrë traditat dhe zakonet e tokave të shenjta ku kanë jetuar për më shumë se 200 vjet, dhe ata thuajse janë njësuar me shoqërinë arabe palestineze.

Sot, shqiptarët shquhen me besnikërinë e tyre ndaj çështjes palestineze dhe Mesxhid al-Aksasë në Jeruzalemin Lindor.

Shqiptarët në Lindjen e Mesme jetojnë prej më shumë se 200 vitesh

“Nuk dihet data e saktë se kur shqiptarët mbërritën në Palestinë”, thotë 52-vjeçari Muhamed Fevzi Arnavuti, anëtar i familjes shqiptare në Jeruzalem.

“Megjithatë, ata kaluan nga rajoni në rajon në Lindjen e Mesme si pjesëtarë të Perandorisë Osmane. Por ne e dimë që kemi qenë në këto troje për më shumë se 200 vjet”, thekson ai.

“Ne jemi krenarë për prejardhjen tonë”, tha Arnavuti, i cili punon si administrator në një shkollë, duke theksuar ai ndihet në mënyrë ekuivalente palestinez dhe shqiptar.

“Po ashtu, jemi krenarë që jemi palestinezë dhe që jetojmë këtu. Palestina është një nga vendet e rëndësishme të botës islame dhe në të gjendet e bekuara Mesxhid al-Aksa. Në të njëjtën mënyrë, është një vend ku gjenden lokacione të shenjta të Krishterimit dhe është pikë takimi e civilizimeve”, shprehet Arnavuti.

Ai thotë se nuk u ka mbetur më asgjë në jetën e tyre nga traditat dhe zakonet shqiptare.

Thirrje shtetit dhe popullit shqiptar

Muhamed Fevzi Arnavuti kërkoi nga populli shqiptar të krijojnë marrëdhënie me popullin palestinez.

“Populli i Shqipërisë duhet ta dijë se kanë të afërm që jetojnë në Palestinë. Po kështu, ne duam që ata të krijojnë qendra mësimore të gjuhës shqipe. Sigurisht, për ne është shumë e rëndësishme që flasim arabisht, por duam që krahas saj, fëmijët tanë të mësojnë edhe shqipen. Sepse gjuha ka një rëndësi të madhe për t’u njohur dhe kuptuar. Ajo luan rol shumë të rëndësishëm në kthimin tonë në rrënjët tona dhe në ndërveprimin kulturor”, thotë Arnavuti.

Megjithëse nuk di aspak shqip, ai thotë se ka dëshirë të madhe ta mësojë këtë gjuhë. Siç thotë ai, edhe gjenerata para tij nuk e dinte gjuhën shqipe.

“Dua shumë të shkoj në Shqipëri dhe të shëtitem në atë vend. Dua shumë ta shoh vendin prej ku kemi ardhur dhe të takohem me bashkatdhetarët atje”, thotë Arnavuti.