Ballina Lajme Bota SHBA/ 1.9 trilionë dollarë për Covid-19, demokratët gati të votojnë paketën

SHBA/ 1.9 trilionë dollarë për Covid-19, demokratët gati të votojnë paketën

Udhëheqësit demokratë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve paraqitën të hënën një masë të përbashkët buxhetore prej 1.9 trilion dollarësh kundër koronavirusit, në një hap drejt anashkalimit të republikanëve, para takimit të Presidentit Joe Biden me disa senatorë republikanë.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat Chuck Schumer tha se plani do të paraqitet si masë buxhetore e vitit fiskal 2021 në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve dhe kjo do t’i jepte mundësi Kongresit që ta përshpejtojë procesin për miratim nga të dy dhomat.

Ndërsa republikanët kanë kundërshtuar propozimin e zotit Biden për paketën 1.9 trilion dollarëshe kundër koronavirusit, masa buxhetore do t’i lejonte demokratët që të anashkalojnë pragun prej 60 votash në Senatin e ndarë ngushtë dhe të miratojnë legjislacionin me një shumicë të thjeshtë, përmes një procedure të quajtur bashkërendim.

Kjo do të shënonte herën e parë që demokratët në Kongres përdorin një manovër për të treguar forcën e tyre legjislative, që kur morën kontrollin e Senatit.

Senati me 100 vende është i ndarë 50-50, ndërsa një votë nga Nënpresidentja Kamala Harris u jep demokratëve shumicën. Senatori Schumer foli para takimit të Presidentit Biden me 10 senatorë republikanë, të cilët kanë propozuar një paketë ndihme prej 618 miliardë dollarësh.

“Demokratët i mirëpresin idetë dhe kontributin e kolegëve republikanë në Senat. E vetma gjë që nuk mund të pranojmë është një paketë që është shumë e vogël ose shumë e paktë për të nxjerrë vendin tonë nga kjo situatë emergjente”, tha zoti Schumer.

Veprimi i shpejtë nga Kongresi për të trajtur pandeminë është një synim kryesor i zotit Biden. Presidenti ka shprehur interes për të punuar me ligjvënësit republikanë. Por nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë nuk ka treguar asnjë shenjë të pranimit të propozimit republikan.

“Rreziku nuk është se është shumë i madh, rreziku është se paketa është shumë e vogël. Kjo është pikpamja e presidentit”, tha Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki para takimit.

Presidenti Biden dhe ekipi i tij u paraqitën senatorëve republikanë detaje se si paketa e ndihmës do të sjellë përfitime për shtetet e tyre përkatëse, tha një ndihmës i Shtëpisë së Bardhë.

PIKAT E DOMOSDOSHME

“Zoti President, ne i përshëndesim thirrjet tuaja për unitet dhe duam të punojmë me mirëbesim me administratën tuaj për të përmbushur sfidat shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore të krijuara nga pandemia”, thanë përmes një deklarate të hënën senatorët republikanë Susan Collins, Lisa Murkowski, Mitt Romney dhe shtatë të tjerë.

Plani republikan nuk ofron asnjë ndihmë për qeveritë lokale dhe shtetërore, një nga pikat që një këshilltar i Presidentit Biden e përshkroi si “të domosdoshme” për demokratët në Kongres.

Sipas detajeve të publikuara nga ligjvënësit, propozimi republikan po ashtu nuk i përmbahet një pike tjetër të domosdoshme, duke ofruar vetëm 1000 dollarë pagesë direkte për amerikanët, krahasuar me 1400 dollarë që ka propozuar Presidenti Biden.

“Nuk kemi parë shumë kundërshtime publike nga demokratët në Kongres. Mendoj se këto vija të kuqe do të shfaqen nëse Shtëpia e Bardhë shqyrton heqjen ose vonesën e pikave të planit”, tha këshilltari duke folur në kushte anonimiteti.

Miratimi i legjislacionit të ri për lehtësimin e situatës jo vetëm që do të ndikonte tek amerikanët dhe bizneset por do të ofronte një provë të hershme të premtimit të zotit Biden për të punuar për kapërcimin e ndarjeve politike në Uashington.

Dhjetë vota republikane, së bashku me 50 senatorët e tjerë demokratë dhe të pavarur, do mjaftonin për të miratur me shpejtësi legjislacionin në Senat. Gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump ka patur bashkëpunim të pakët mes dy partive në ligje të rëndësishme në Kongres. /VOA

- Artikull i sponzorizuar -

në fokus

Nuk është Rama, s’ka vaksina; vjen Rama, vijnë vaksinat

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi herët në mëngjes, gjatë një diskutimi në parlament, se në mbrëmje do të mbërrinin 15,210 doza...

Kosovë/ Një polic i vrarë, dyshohet për vetëvrasje

Një polic është gjendur pa shenja jete në Pejë, përgjatë ditës së hënë në orën 16:20.Bëhet me dije se personi në fjalë...

Eshtë një kategori njerëzish që mund të ketë nevojë për një dozë të tretë të vaksinës anti-COVID

Sipas një studimi të fundit nga specialistët e shëndetit, personat që janë mbipeshë prodhojnë rreth gjysmën e antitrupave që prodhojnë personat em...