Serbia do të prodhojë vaksinën ruse, Vuçiç: Do të plotësojmë nevojat tona, do të ndihmojmë edhe fqinjët

0
51

Serbia do të investojë për të prodhuar brenda vendit vaksinën ruse Sputnik. Ishte kjo deklarata që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dha për agjencinë e lajmeve Reuters.



Kreu i shtetit theksoi se deri në fund të vitit Serbia synon të prodhojë vaksinën ruse jo vetëm për nevojat e saj, por edhe me qëllimin për ta eksportuar në rajon.
“Unë dhe presidenti Putin bëmë një marrëveshje për të filluar të gjithë procedurën e cila është e komplikuar. Ne do të flasim me ekspertët rusë se si të shpejtojmë të gjitha proceset, për të parë se çfarë na nevojitet, kështu që deri në fund të vitit do të jemi në gjendje të fillojmë prodhimin e vaksinave. Ne do të dëshironim të prodhonim më shumë për të ndihmuar të gjithë në rajon. Sepse nuk ka kuptim që ne të vaksinohemi dhe fqinjët tanë jo. Pra, kjo është diçka tjetër që ne synojmë të arrijmë”, u shpreh Vuçiç.
Një grup ekspertësh rusë pritet të vizitojnë Serbinë javën e ardhshme për të nisur bisedimet.
Vuçiç theksoi se vendi do të shpenzonte 200-300 milionë euro ose 0.7 përqind të produktit të brendshëm bruto për të blerë vaksina të mjaftueshme.
Sipas programit shtetëror të vaksinimit, serbët aktualisht mund të zgjedhin midis vaksinës prodhuar nga Pfizer I-BioNTech, Sinopharm e Kinës ose Sputnik V e Rusisë.
Vuçiç theksoi se qindra mijëra doza të të tre vaksinave pritet të mbërrijnë në vend në javët e ardhshme, përfshirë edhe vaksina të Astra Zeneca.
Duke përfituar nga lidhjet e saj të ngushta me Kinën, e cila ka investuar miliarda dollarë në vendin ballkanik, Serbia ishte një nga vendet e para evropiane që filloi inokulimin masiv me 1 milion doza të vaksinës kineze Sinopharm.
Serbia aktualisht ka nivelin e katërt më të lartë të vaksinimit për 100 persona, pas Izraelit, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Më shumë se 530,000 njerëz –ose rreth 7.5% e serbëve – kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
Deri më tani, 402,700 qytetare serb janë infektuar dhe 4,085 kane humbur jetën. Shkalla e infeksionit është ulur javët e fundit, por mijëra pacientë mbeten të shtruar në spital.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here