Qeveria mblidhet sot, pritet vendimi për masat e reja antiCOVID

Kosova

Qeveria e Kosovës pritet të mblidhet sot nga ora 17:30, ku do të shqyrtohen masat e propozuara nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në vend.

Dje Vitia e ka diskutuar propozimin për masa të reja me krerët e institucioneve shëndetësore, përfaqësues të Odës së Hotelierisë së Kosovës dhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Vitia ka thënë të martën se pas dërgimit të 173 mostrave pozitive jashtë Kosovës, 171 kanë dalë me variantin Delta.

Ai ka thënë se kufizimet e reja do të përfshijnë orar të kufizuar të bizneseve të gastronomisë, meqë shpërndarja më e madhe e virusit ka thënë të jetë pasojë e organizimeve në ambiente të mbyllura.

Vitia ka thënë se vaksinimi është zgjidhja më e sigurt për luftim të pandemisë dhe se ditët e fundit është rritur interesimi për imunizim.

“Ditën e djeshme janë administruar diku rreth 22 mijë doza të vaksinës dhe për kokë banori Kosova së fundmi po administron numrin më të madh të vaksinave në rajon”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se është marrë vendim që qendrat e vaksinimit të punojnë edhe ditën e shtunë.