Propozohet orë policore në Maqedoni, Qeveria del nesër me vendim

Maqedonia



Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, me propozimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive, sot në Shtabin Qendror për Koordinim të krizave propozoi futjen e orës policore nga ora 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit, në territorin e të gjithë Maqedonisë, njofton Portalb.mk. Komisioni në mënyrë shtesë do të deklarohet se nga cila ditë do të fillojë ora policore dhe deri kur do të zgjasë.
Ministri shpjegoi se ky propozim i Komisionit është për faktin se javët e fundit ka më shumë të infektuar për shkak të transmetimit të virusit përmes tubimeve, por edhe mosrespektimit të masave të paraqitura për mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse, mbajtjen e distancës dhe mos grupimit.
Analizat e Komisionit përcaktuan që për shkak të mosrespektimit të masave, do të ketë raste të reja të të infektuarish, por edhe rritje të numrit të të hospitalizuarve, prandaj Komisioni konsideron se një masë e tillë rigoroze do të ketë efekt.
Qeveria e RMV-së në seancën e nesërme do të duhet të vendosë për propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Sëmundjet Infektive.