Prapaskenat e superaksionit të DEA: Kush janë pronarët realë të kokainës 6 miliard euro

Bota Kosova



Dy personat e kapur sot në Kosovë si pronarët e kamionit me 400 kilogram kokainë, janë vetëm mbulesa e trustit të fuqishëm të drogës që vjen nga Amerika Latine.

 

Prapa tyre qëndron një nga grupet më të fuqishme të narkotrafikut, që komandon jo vetëm Shqipërinë e Kosovën, por ka aleancë të fortë me një nga klanet më të fuqishme të Malit të Zi dhe Serbisë.
Nga burime të rëndësishme nga agjenci ligjzbatuese, mësohet se DEA ka arritur nëpërmjet një infiltrimi në organizatën nga ku është bërë marrëveshja, në qytetin port të Santosit.



Brazili është kthyer vitin e shkuar në eksportuesin më të madh të kokainës në Europë, pas problemeve që portet e Ekuadorit dhe të Columbisë patën me zbulimin e disa prej marrëveshjeve më të mëdha të eksportimit të kokainës në Shqipëri, Greqi, apo vende të tjera të Ballkanit; si Mal të Zi e Kroaci.
Dy vjet më parë, zbulimi i një sasie të madhe kokaine me vulën e KF Elbasani, alarmoi DEA-n amerikane, e cila menjëherë nisi hetimet dhe përpjekjet për tu infultruar në këtë grup.
Por siç bëri të ditur për ‘Pamfleti‘, një burim ndërkombëtar, “kësaj radhe ka qenë shumë i vështirë gjetja e gjurmëve dhe infiltrimi më pas, ngaqë kemi të bëjmë me një nga grupet më të strukturuara dhe tepër të organizuara”.
Siç bëri të ditur ky burim që është pjesë e një agjencie të rëndësishme, në rastet e Ekuadorit, infiltrimi i DEA-s u arrit nëpërmjet bashkëpunimit me policinë ekuadoriane dhe marinën e këtij vendi, pas arrestimit të shqiptarëve dhe rrëfimet nga burgjet atje.
Kurse në këtë rast, gjurmët e grupit shqiptar nuk gjendeshin dot, vetëm kur u arrit të pikasej një kontakt human i tyre. Ndërlidhja kryhej vetëm nëpërmjet lëvizjes së njerëzve dhe mesazherëve njerëzore, duke dërguar pengje në Brazil. Por vrasja e Ilir Zelkës në një nga restorantet e qytetit të Sao Paolos në Brazil nisi të çajë edhe grupin e fuqishëm kriminal, i cili nisi në Trekëndëshin: Tiranë-Elbasan-Durrës dhe bashkohet më pas në Prizren për të vijuar në Serbi dhe Bosnje.
Bëhet fjalë për një sindikatë të vërtetë kriminale që vepron në logjikën e kartelit, ku janë bashkuar disa grupe, që kanë bashkuar financat dhe burimet njerëzore në një industri të stërmadhe që arrin një xhiro deri në dhjetëra miliardë euro.
DEA ka arritur në zbulimin e gjurmëve të këtij karteli, por mësohet se gjatë rrugës diçka ka shkuar keq dhe gjërat kanë rrjedhur. Ndaj në fillim u tha se bëhet fjalë për 2 ton kokainë e më pas lajmi i vërtetë ka qenë 400 kigogram. Operativët e DEA-s në Ballkan kanë pritur një dalje nga foleja të tentakulave të këtij krimi që besohet se është nga më të fuqishmet që ka lidhje të mëdha si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.
Në Prizren, kjo pjesë e kartelit mësohet se është grupi që fsheh biznesin e tij tek spektakli i diskove dhe balerinave, por edhe investimit në talentet e muzikës rrep.
Ndërkaq, në Shqipëri gjurmët çojnë në zonën e aksit Kavajë-Elbasan, ku mësohet se janë edhe njerëzit që mund të kenë porositur mallin në Brazil.
Ky mal i fshehur në mishin e pulës, është transportuar nga porti i Santosit, që është pjesë e shtetit të Sao Paulos. Ky port është kthyer në eksportuesin më të madh të kokainës në Europë.
DEA e ka ndjekur operacionin si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri me operativët e saj, pasi kishte shumë frikë se mund të deponspirohej gjithçka, siç kishte ndodhur një vit më parë kur u kap nga policia braziliane sasia e madhe e kokainës me mbishkrimin “KF Elbasani”.
Atëherë u kap 600 kilogram kokainë, i cili gjithashtu planifikohej të maskohej me ngarkesa mishi në portin e Santosit në Sao Paolo.
Pikërisht pas kapjes së kësaj sasie në shtatorin e 2019-ës dhe publikimit një muaj më pas, u vra biznesmeni Ilir Zhelka në Sao Paolo. Zhelka ishte në një ‘dealer’ me një kompani të regjistruar në Çeki dhe nuk kishte ndonjë aktivitet si importues në Shqipëri.
Por dyshimet e DEA-s janë se vrasja e Zhelkas është bërë ngaqë dyshohej se ai ka folur për agjencinë amerikane.
Në ditët në vijim, SPAK-u mund të nisë menjëherë hetimin mbi pronarët e vërtetë të 6 miliardë euro kokainë, e pritet që dy hetues të BKH-së të mbërrijnë në Brazil së bashku me operativët e DEA-s.
Ndërkaq, mësohet se përveç gjysëm toni të kapur dje, është edhe një tjetër sasi e madhe që pritet të sekuestrohet si pjesë e ngarkesësh shtesë për kompaninë fantazëm të krijuar një muaj më parë me qendër në Kavajë…/Pamfleti