Përshëndetje nga Gjermania: Një Lajçak për Serbinë

Kosova Lajme Lugina Maqedonia Shqipëri




Nga Baton Haxhiu

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bëri shtetarin duke përkujtuar një moment mesjetar të Besëlidhjes së Madhe, të epokës së Skënderbeut. Në mënyrë folkorike kishte mbledhur disa feudalë politikë përballë përmendores. Mu aty, ai tha se bashkim kombëtar nuk mund të ketë sepse nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës. Prapa vetes, në Prishtinë kishte lënë simbolikën e kësaj kohe – Miroslav Lajçakun dhe Asociacionin e tij.

Lajçak erdhi në Prishtinë me hartën e Serbisë (që Kosovën e ka brenda) prapa krahëve dhe Asociacionin në mendje. Qëllimin e ka bërë të qartë qysh para se Evropa ta emëronte të Dërguar të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Tani, synon që atë ta bëjë realitet. Me ndihmën e Gjermanisë dhe miqve të tjerë evropianë. Dhe, në shpinë të mosveprimit apo pafuqisë amerikane.

Ky është rrëfimi gjashtëpjesësh i rrugëtimit drejt një tjetër dështimi.

Rrëfimi i parë
I veshur me një këmishë kuqezi, sportive, me shije të pakompleksuar prej diplomati, Christofer Dell, ishte mysafir i përvjetorit në Koha Ditore. “Dua të jem shqiptar në veshje së paku një natë”, thoshte me ironi Dell, në ndejën përshëndetëse me gazetarë.

Diplomatit amerikan, që deklaronte se “nuk kam për çka të pendohem për atë që kam bërë në Kosovë”, nuk i rrinte mirë këmisha me ngjyra kuqezi, që dikush nga zyra ia kishte sugjeruar, duke i kërkuar të flijonte pak nga amerikanizmi i tij për një natë shqiptare.

Do të kthehej edhe një herë si ambasador në Kosovë, më 2010. Gjithmonë i ashpër në ecje dhe me qëndrim, kishte përshkruar kalimthi situatën në Kosovë, para se të ikte nga posti i Shefit të Zyrës Amerikane.

Merakli i punës dhe zanatli i qejfit dhe ndejave, kur duhet të kënaqej, është përshkrimi me pak fjalë i Ambasadorit të ri Amerikan në Prishtinë, që e shpëtoi Kosovën nga “pushtimi i veriut” nga Serbia.

Christofer Dell apo Chris Dell, siç e quajnë shkurt, kishte fjalor dinamik, i shpejtë në komunikim, i ashpër dhe i guximshëm, gjithmonë me iniciativa – diplomat me ashpërsi të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme.

Ai është diplomati që herën e parë e mori detyrën nga Lari Rosin dhe vazhdoi ta ndërtojë Zyrën Amerikane në Prishtinë.

Në Kosovë erdhi menjëherë pas luftës, ishte gjatë luftës në Maqedoni dhe e përjetoi edhe luftën në Preshevë dhe Bujanovc.

I veshur me tesha sportive, me truproje të padukshme, shëtitej gjithandej Prishtinës dhe “Dragodanit”, për ta soditur Kosovën dhe shqiptarët e pasluftës.

Kishte marrë detyrën e menaxhimit të krejt asaj që quhej amerikane dhe prezencë e saj në Kosovë. Njohës i mirë i UÇK-së dhe influencues i jashtëzakonshëm.

Dell mbante peshën e Shefit të Zyrës, i mbuluar me rëndësinë e shtetit të tij, si një ndër diplomatët më të guximshëm të parë ndonjëherë në Kosovë.

U bë i njohur me fjalinë e famshme të vitit 2011 kur i dha “urdhër” Hashim Thaçit, “që ta rrotullojë tavolinën” në qetësinë e restorantit, për ta tërhequr vëmendjen.

Kjo ishte fjalia e tij, si këshillë për t’i dërguar forcat speciale në veri. Ishte hera e parë pas shpalljes së pavarësisë që policia do ta kalonte “kufirin e veriut”.

“Po humbet veriu”, thoshte Dell. “Evropa nuk ka interesim që ta bëjë pjesë të Kosovës”. Dhe, ndodhi aksioni i famshëm, që përfundoi me iniciativën për dialog. Deri atëherë s’kishte asnjë shenjë se veriu na përkiste neve.

Kufiri fiktiv ishte te Ura mbi Ibër.

Rrëfimi i dytë
Vetëm njëherë ishte prishur qetësia për Evropën në Kosovë, kur unë, Garentina Kraja dhe Beni Qena kishim publikuar planin sekret të ushtrisë franceze, sipas të cilit veriu i Kosovës do të ndahej me mur klasik gjatë gjithë bregut të lumit Ibër.

Plani ishte siguruar nga Kadri Veseli.

E kishim mbajtur sekret për javë të tëra, që një ditë ta vendosnim në faqe të parë të gazetës.

Dhe, aty, për herë të parë u bë nami në opinion publik. Projekti u anulua. Garentina kishte marrë guximin që t’i shkonte deri në detaje zbulimit të projektit.

Evropa që kishte intervenuar për ta krijuar një shtet multi-etnik, po i vinte themelet e ndarjes dhe po krijonte kufirin e saj etnik të një shteti që ende nuk quhej shtet. Ishte protektorat.

PS. Pas botimit të lajmit, qytetarët kanë organizuar protesta për ditë të tëra, derisa francezët hoqën dorë nga plani i tyre për mur përgjatë Ibrit.

Rrëfimi tretë
Një herë të vetme ishte përballë me suksesin në diplomaci.

Mirosllav Lajçak, bënte njeriun dhe diplomatin që ndërmjetësonte referendumin dhe kushtet e tij, për pavarësimin e Malit të Zi.

Një kohë të gjatë kishte qenë afër liderëve serbë për t’i bindur ata që të lejohet kuota prej 53% e referendumit. Kjo shifër e largonte Malin e Zi nga Federata me Serbinë.

Duke qenë të bindur se kjo nuk mund të arrihet, liderët serbë kishin dhënë pëlqimin që referendumi për shkëputje të Malit të Zi të mbahej.

Mali i Zi u bë i pavarur nga Serbia me votat e shqiptarëve dhe boshnjakëve, por edhe pjesës dërmuese të malazezëve. Thuhet se Lajçak ishte i sigurt që kjo nuk do të ndodhte.

Por, krejt çka na kujtohet është se Malin e Zi e bëri të pavarur Milo Gjukanoviç. Se si dhe sa ka kushtuar, është e panevojshme të thuhet.

Rrëfimi i katërt
Ramush Haradinaj, si më i forti. Albin Kurti si më ideologu. Dhe Fatmir Limaj si engjëll mbrojtës i ashpërsisë jo-ideologjike të të dyve. Të tre bashkë po e shkruanin ashpërsinë në historinë politike të Kosovës.

Kishin vendosur muskujt përpara, për ta kundërshtuar nënshkrimin e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, të bërë në Vjenë, në prani ndërkombëtare, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që i dedikohej komunave të veriut.

Ishte modeli i njëjtë me atë të cilin e kishin planifikuar francezët dhe që e kishte prishur Chris Dell më 2011.

Tre liderët ndërtuan rrëfimin e ashpërsisë me argumentin e fuqisë për ta ndalur Demarkacionin dhe Asociacionin. Dhe gati sa nuk e çuan Kosovën para luftës civile.

Demarkacioni u bë sapo Ramushi u bë kryeministër. Kurse Asociacioni është në rrugë për t’u bërë siç është Albini rrugës për të qenë kryeministër.

Ashpërsia e tre liderëve që në botë njihen si “gaz-lotsjellësit e politikës”, kishte prodhuar status-quo pesëvjeçare.

Kur gjithçka qëndronte statike, në Kosovë erdhi ideja tjetër – Korrigjimi.

Rrëfimin e vërtetë ndoshta do ta mësojmë një ditë, por Gjermania prodhoi versionin e saj të rrëfimit për këtë ngjarje.

Edhe kur dihej si do të përfundojë, nuk dihej një gjë: kush do të burgosej? Edhe ajo u mësua shpejt.

Katër liderë të UÇK-së u arrestuan, për ta lënë Kosovën në mëshirën e një kompromisi të ri politik.

Gjermania, si shteti i vetëm që përkrah Asociacionin Plus, dhe atë pa kushte, ka prodhuar politika të gabueshme në Ballkan.

Së fundmi, siç duket në bashkëpunim me Rusinë, kanë caktuar Christian Schmidt, në pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Bosnjën dhe Hercegovinën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkonin “partnerë me vullnet për ta zgjidhur këtë ‘çështje’”, me gjasë nuk do të gjejnë as partnerë, as të vullnetshëm.

Rrëfimi i pestë
Pavarësisht deklarimit të kancelares gjermane Angela Merkel, në aeroportin e Prishtinës, më 2011, se Serbia nuk mund të avancojë në BE, pa larguar strukturat e saj nga Kosova, po me mbështetjen e kancelares dhe politikës së jashtme gjermane, Serbia ka avancuar fort drejt BE-së.

Shteti që ka kontestuar pavarësinë e Kosovës, ka përfituar më së shumti ndihmë financiare dhe investime nga Gjermania. Pikërisht me dyert e hapura gjermane, Serbia vetëm sa e ka rritur prezencën në Kosovë dhe e ka bllokuar inter-koneksionin energjetik për vite të tëra.

Vetëm në një moment kjo u bë e pamundur.

Kur trenat po gabonin orarin e qarkullimit në stacionet gjermane, sepse energjia e vjedhur në veriun e Kosovës kishte çrregulluar saktësinë e orëve elektronike në Bahnhof-ë, Gjermanisë iu kujtua problemi energjetik mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjermania gradualisht dhe heshtur ka hequr dorë nga ideja që Serbia të kushtëzohet me Kosovën. Dhe fjalitë e Merkel-it më 2011 nuk kanë më peshë as deri në kufirin evropian, lëre më që ta kushtëzojnë Serbinë.

Pas Brexit, më 2016, efektivisht s’ka asnjë shtet me fuqi, që e kushtëzon më Serbinë me përmirësim të marrëdhënieve me Kosovën.

Nën udhëheqjen e Gjermanisë, BE-ja e ka shndërruar pozicionin e pakicës, pesëshes që s’e ka njohur shtetin e Kosovës(që përfaqësojnë idenë e neutralitetit evropian ndaj Kosovës), në qëndrim zyrtar të BE-së.

Kjo u pa me emërimin e Lajçak, si negociator për Kosovën dhe Serbinë, por edhe me skandalin me hartë që ai përfaqësonte në opinionin publik.

Mungesa e vizionit gjerman për ta zgjidhur çështjen e Kosovës i ka hapur rrugë bllokimit të Kosovës; ndërtimit të një shteti autoritar dhe avancimit të interesave hegjemoniste serbe në rajon me mjete politike – Listës Serbe në Kosovë. Dhe, përmes kishës, në Mal të Zi.

Fshehtësia gjermane, e kombinuar me largimin e Britanisë së Madhe nga BE dhe rritjen e rolit të Francës në influencën evropiane, e kanë dëmtuar rolin dhe fuqinë e BE-së në rajon.

Kujtojeni dështimin për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dështimin për hapje negociatash me Maqedoninë e Veriut, edhe pas kompromisit.

Prandaj bëhet presion i vazhdueshëm se pse të tjerët kanë hyrë thellë në regjion. Krejt kjo ka zbehur entuziazmin dhe e ka forcuar rolin e Turqisë, Rusisë e Kinës.

Merkel e di çka nuk do – nuk e do korrigjim. E di edhe cka do në raport me Kosovën. E ka shprehur hapur përmes ministrit të Jashtëm gjerman dhe përmes Lajçak – Gjermania do Asociacion Plus.

Jo rastësisht, Lajçak nuk e zë në gojë njohjen e Kosovës. Ai flet në emrin e BE-së dhe të Gjermanisë. Asnjëherë nuk flet në emër të tij.

Me një fjali: trashëgimia kryesore në politikën e jashtme të Merkel-it në krye të Gjermanisë dhe BE-së është një Serbi autoritare, me rol dominant në rajon, dhe një Kosovë në konflikt të ngrirë.

Pasardhësi i saj, Laschet, nuk premton më mirë, sidomos kur kemi parasysh qëndrimet e tij pro-ruse dhe afërsinë qe ka me politikat që e bëjnë të afërt më Rusinë.

Lajçak, është i qartë gjithë kohën. Do qartësi për Asociacionin, por jo për njohjen qartazi, sepse ai e ka mision shpërblimin e Vuçiçit.

Lajçak beson fuqishëm që Serbia duhet të marrë diçka, siç e përsërit Vuçiç në vazhdimësi.

Radhën për shpërblim e kanë Vjosa dhe Albini.

Rrëfimi i gjashtë
Shpresoj që sot gjysma e gazetarëve nuk ka ardhur me komente të gatshme kundër meje. Jo sepse nuk kishte kush t’ua shkruante. Por, sepse njeriut qe shkruante traktet kundër meje po i dridhet dora.

Ndërsa, atyre që i lexonin këto shkrime po u merret goja, sepse nuk dinë çka të thonë. Ndoshta pas disa muajsh shumica e këtyre që do qeverisin nuk do jenë më aty.

Duke qenë Lajçak në Prishtinë, kam sot një lajm të mirë për të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht për ata të pushtetit: ballafaqimi po vjen.

Me ndihmën e pakursyer të Ramushit, Albinit, pse jo edhe të Fatmirit, dhe pa dyshim edhe të të tjerëve – s’mund ta mohoj, dy shtyllat e refuzimit, gaz-lotsjellësit dhe krenaristët e bënë vetë pjesën që iu duhej.

Disa nga pesha dhe frika e krimit u kapën, të tjerët, krenaristët kryesisht nga idiotësia ikën, u shpërndanë dhe humbën duke e lënë shtetin e papërfunduar – vetëm.

Për ata që erdhën me vonesë në gjuetinë ndaj Kosovës, kam vetëm një urim dhe përshendetje, në qoftë se bëjnë diçka mirë për Kosovën!