Ballina Shkencë & Teknologji Përgjegjësitë e punëdhënësit ndaj punëmarrësit

Përgjegjësitë e punëdhënësit ndaj punëmarrësit

Përgjegjësia e Punëdhënësit dhe Punëmarrësit (punonjësit) duke filluar nga Kontrata e punësimit, çdo ndryshim të saj, rregull, urdhër, udhëzim, vendim apo shkëmbim tjetër i korrespodencës në mes të punëdhënësit dhe punonjësit
Shkruan: Ardita Morina
Avokate

Është shumë e rëndësishme që kontrata e punësimit të jetë me shkrim që mundëson të dy palët të negociojnë kushtet e bashkëpunimit. Një dobësi tjetër është se kontratës mund t’i referohet në të ardhmen në rast të shfaqjes së ndonjë kontesti në lidhje me ndonjë aspekt të caktuar të punësimit.
Dokumenti i shkruar mund të shfrytëzohet si provë nëse kërkohet.
Kontrata e punësimit është e rëndësishme për të kultivuar marrëdhënie pozitive në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Punëdhënësit zakonisht mendojnë se marrëveshja e punësimit krijon një shkallë të lartë të organizimit dhe strukturës në marrëdhënien e punës, ndërsa për punonjësit kontrata e punësimit nënkupton stabilitet dhe siguri, në veçanti nëse kontrata përcakton edhe kohëzgjatjen e punësimit. Kjo është praktikë, por edhe këshillë e përgjithshme në bazë të kërkesave ligjore.
Punëdhënësi është personi fizik apo juridik I cili siguron punë për një ose më shumë të punësuar, i paguan pagën të punësuarve për punën ose shërbimet e kryera dhe është përgjegjës për subjektin punues.
Përcaktimi i orarit të punës
1. Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit.
2. Orari i plotë i punës zgjat dyzet (40) orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
3. Orari i plotë i punës për të punësuarin, i cili është më i ri se tetëmbëdhjetë (18) vjeç, nuk mund të jetë më shumë se tridhjetë (30) orë në javë.

Punëmarrësi është personi fizik i cili kryen punë ose shërbime me pagesë për punëdhënësin dhe ka marrëdhënie punësimi me punëdhënësin.

Për të themeluar marrëdhënien e Punës janë disa kushte dhe kritere:
Marrëdhënia e punës mund të themelohet me çdo person prej moshës tetëmbëdhjetë (18) vjeç.

Marrëdhënia e punës mund të themelohet edhe me personat në mes të moshës pesëmbëdhjetë (15) deri në tetëmbëdhjetë (18) vjeç, të cilët mund të punësohen për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për shëndetin ose zhvillimin e tyre dhe nëse ajo punë nuk është e ndaluar me ndonjë ligj ose akt nënligjor. Asnjë punëdhënës nuk mund të lidhë kontratë pune me ndonjë person nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç.
Për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta lajmërojë në Administratën Tatimore të Kosovës, institucionet e tjera të cilat i menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat e tjera të obligueshme.
Midis Punëdhënësit dhe të punësuarit përpilohet një kontratë të cilën e përpilon punëdhënësi. Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar dhe nënshkruhet nga punëdhënësi dhe i punësuari. Kontrata përfshinë elementet e përcaktuara sipas Ligjit të Punës i Republikës së Kosovës.
Kontrata e Punës mund të lidhet për:
∙ një periudhë të pacaktuar; një periudhë të caktuar dhe
∙ për punë dhe detyra specifike.
Për të punësuarit ka një orar pune të cilën e përcakton Ligji i Punës dhe askush nuk ka të drejt të shkelë atë.
Përcaktimi i orarit të punës
∙ Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të mirë të punëdhënësit.
∙ Orari i plotë i punës zgjat dyzet (40) orë në javë, nëse me kontratë nuk është përcaktuar ndryshe.
∙ Orari i plotë i punës për të punësuarin, i cili është më i ri se tetëmbëdhjetë (18) vjeç, nuk mund të jetë më shumë se tridhjetë (30) orë në javë.
Orari jo i plotë
∙ Orari jo i plotë i punës, është orar pune më i shkurtër sesa orari i plotë i punës
∙ Marrëdhënia e punës mund të themelohet me orar jo të plotë pune, në kohë të caktuar dhe të pacaktuar.
∙ I punësuari i cili punon me orar jo të plotë pune, i gëzon të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës sikurse i punësuari me orar të plotë pune, në proporcion me orët e punës që ka punuar i punësuari.
Orari i shkurtuar i punës
∙ Orari i shkurtuar i punës caktohet për punët dhe detyrat e punës, për të cilat edhe përkundër aplikimit të masave mbrojtëse, punëtori nuk mund të mbrohet nga ndikimet e dëmshme për shëndetin e tij.
∙ Orari i punës shkurtohet në përpjesëtim me rrezikshmërinë për shëndetin dhe aftësinë punuese të punëtorit.
∙ Orari i shkurtuar i punës mund të reduktohet më së shumti deri në njëzet (20) orë në javë, për punët me shkallë të lartë të rrezikshmërisë.
Ligji i punës ka përcaktuar edhe pushimin vjetor për çdo punëmarrës.

Pushimi vjetor
∙ I punësuari gjatë çdo viti kalendarik ka të drejtë për pushim vjetor të paguar në një kohëzgjatje prej së paku katër (4) javë, pavarësisht a punon me orar të plotë apo të shkurtuar.
∙ Zgjatja e pushimit vjetor përcaktohet varësisht nga stazhi i punës, ku për çdo pesë (5) vite të përvojës së punës, shtohet një ditë pune.
∙ I punësuari nëse nuk e shfrytëzon pushimin vjetorë ose një pjesë të pushimit me fajin e punëdhënësit ka të drejtë të shfrytëzon atë pushim gjatë periudhës vijuese e cila i konvenon Punëdhënësit ose kompensim në të holla nga punëdhënësi.
∙ I punësuari ka të drejtë të mungojë nga puna me kompensim të pagës: 5 ditë në rast të martesës së tij, 5 ditë në rast të vdekjes së anëtarit të ngushtë të familjes, 3 ditë për lindje të fëmijës, një ditë pune për çdo rast të dhënies vullnetare të gjakut si dhe për rastet e tjera të përcaktuara sipas Kontratës Kolektive, Aktin e Brendshëm dhe Kontratën e Punës.
∙ Femra e punësuar gëzon të drejtën prej 12 muaj, të pushimit të lehonisë.
∙ Me prezantimin e certifikatës mjekësore femra e punësuar mund të fillojë pushimin e lehonisë deri në 45 ditë para datës kur pritet të lind, në periudhën prej 28 ditë para datës kur pritet të linë, punëdhënësi me pëlqimin e femrës shtatzënë, mund të kërkojë nga ajo që të fillojë pushimin e lehonisë, nëse punëdhënësi mendon se femra e punësuar nuk është në gjendje të kryej detyrat e saj.
∙ Gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga Punëdhënësi me kompensim prej 70% të pagës bazë,
∙ Tre muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim prej 50% të pagës mesatare në Kosovë;
∙ Femra e punësuar ka të drejt të zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjera pa pagesë.
Çdo i punësuar ka të drejtën e mbrojtjes në punë.
Mbrojtja e përgjithshme në punë
∙ I punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës, në përputhje me këtë ligj dhe Ligjin për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës.
∙ Punëdhënësi është i detyruar të sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve në pajtim me ligjin.
∙ Punëdhënësi detyrohet të informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.
∙ Punëdhënësi obligohet të japë udhëzime që tregojnë rreziqet në punë dhe masat mbrojtëse të cilat duhet të merren në përputhje me udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
∙ Punëdhënësi është i detyruar t’i zbatojë rregullat dhe procedurat e përgjithshme për mbrojtjen dhe sigurinë në punë, që janë të përcaktuara me Ligjin për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të të Punësuarve dhe Mbrojtjen e Ambientit të Punës.
∙ I punësuari është i detyruar t’i përmbahet rregullave për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë, në mënyrë që mos të rrezikojë shëndetin dhe sigurinë e vet, si dhe sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve të tjerë.
Punëdhënësi në themelimin e punës përcakton edhe pagën e punës që do të japë punëmarrësi:
∙ Të drejtën për pagë, pagën shtesë, kompensimin në pagë dhe të ardhurat e tjera, i punësuari i realizon sipas marrëveshjes së arritur me punëdhënësin për punën e kryer dhe kohën e kaluar në punë, të përcaktuar me Kontratën e Punës.
∙ Punëdhënësi duhet t’i paguajë femrave dhe meshkujve kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së njëjtë, kompensim i cili mbulon pagën bazë dhe shtesat e tjera.
∙ Punëdhënësi duhet të nxjerrë një deklaratë për çdo pagesë dhe çdo shtesë tjetër të paguar të të punësuarve. Pagat mund të paguhen përmes transferit bankar ose me para të gatshme me ç’rast punëdhënësi duhet të mbajë regjistrin për pagesat e bëra.
I punësuari ka të drejtën të kompensimit të pagës nga punëdhënësi në rastet si në vijim:
∙ gjatë ditëve të festave në të cilat nuk punohet;
∙ gjatë kohës së shfrytëzimit të pushimit vjetor;
∙ gjatë aftësimit dhe përsosjes profesionale për të cilën është dërguar, dhe
∙ gjatë ushtrimit të funksioneve publike për të cilat nuk paguhet.

Kontrata e Punës sipas fuqisë ligjore, ndërpritet:
∙ Me vdekjen e të punësuarit;
∙ Me vdekjen e punëdhënësit, kur puna e kryer apo shërbimet e ofruara nga punëtori janë të natyrës personale, atëherë kur kontrata nuk mund të vazhdohet me pasardhësit e punëdhënësit;
∙ Me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës;
∙ Kur i punësuari e mbush moshën e pensionimit, prej gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeç;
∙ Në ditën e dorëzimit të aktvendimit të plotfuqishëm për vërtetimin e humbjes së aftësive për punë;
∙ Nëse i punësuari shkon në vuajtje të dënimit i cili do të zgjasë më tepër se gjashtë (6) muaj; me vendimin e gjykatës kompetente, vendim që pason ndërprerjen e marrëdhënies së punës;
∙ Me falimentimin dhe likuidimin e ndërmarrjes;
∙ Në rastet e tjera të përcaktuar sipas ligjeve në fuqi.
Koha e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës
∙ Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës në kohë të pacaktuar në bazë të Ligjit të Punës të Republikës së Kosovës në këto intervale kohore të njoftimit:
∙ Prej gjashtë (6) muaj deri në dy (2) vite punësim, tridhjetë (30) ditë kalendarike;
∙ Prej dy (2) deri në dhjetë (10) vite punësimi, dyzetepesë (45) ditë kalendarike;
∙ Mbi dhjetë (10) vite punësim, gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike.
∙ Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës për kohë të caktuar me njoftim prej tridhjetë (30) ditësh kalendarike.
∙ Punëdhënësi i cili nuk ka për qëllim të ripërtërijë kontratën me periudhë të caktuar duhet të informojë punësuarin së paku tridhjetë (30) ditë para skadimit të kontratës.
∙ Dështimi për ta njoftuar nga punëdhënësi, do t’i japë të drejtën të punësuarit për zgjatjen e tridhjetë (30) ditëve kalendarike shtesë me pagë të plot.
Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës nga punëdhënësi apo mendon se janë shkelur të drejtat e tij dhe nëse brenda një afati 30 ditor të dërgimit të ankesës nuk merr përgjigje nga Punëdhënësi, ka të drejtë që të iniciojë kontest pune në Gjykatën Kompetente.
Punëdhënësi ka të drejtë të ndërmarrë masa disiplinore për shkeljen e detyrave të punës të punonjësve:
Për shkeljen e detyrave të punës, të punësuarit do t’i shqiptohet njëra nga këto masa ndëshkuese:
∙ vërejte me gojë;
∙ vërejtje me shkrim;
∙ ulje në pozitë;
∙ suspendim të përkohshëm;
∙ ndërprerje të marrëdhënies së punës.
Masat ndëshkuese, vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim dhe ulje, degradim të pozitës, do të shqiptohen për shkelje të lehta të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
Masat ndëshkuese, suspendimi i përkohshëm dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës, do të shqiptohen për shkelje të rënda të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës. /Telegrafi/

- Artikull i sponzorizuar -

në fokus

Në këtë ditë, para nëntë vitesh Messi u bë lojtari i parë që shënoi pesë gola në një ndeshje në Ligën e Kampionëve

Një Lionel Messi i pandalshëm bëri historinë duke u bërë lojtari i parë ndonjëherë që shënoi pesë gola në një lojë të...

Vuçiqi në presion, thotë se është në pozitë të pashpresë sepse po i kërkohet ta njoh pavarësinë e Kosovës

***Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia është në një situatë shumë të vështirë në lidhje me Kosovën, dhe shtoi se...

Ndjehen lëkundje tërmeti në pjesën perëndimore të Maqedonisë

Tërmet me intensitet me magnitudë tre sipas shkallës së Rihterit është ndjerë mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:43 në rajonin e Dibrës,...

Foto e jashtëzakonshme, fotografi kap “anijen në fluturim”

Imazhi i asaj që duket si një anije fluturuese është rezultat i një iluzioni të rrallë optik në brigjet e Anglisë.David Morris...