Osmani:Kjo fitore historike më së shumti e mbi të gjitha u takon qytetarëve

Kosova

Kandidatja më e votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook i është drejtuar qytetarëve të Kosovës pas publikimit të rezultateve preliminare.

Osmani u shprehë se fitorja historike e LVV-së është e qytetarëve të Kosovës.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët e Kosovës gjithnjë e vulosin këtë me besim. Sado e vështirë e me pengesa që ishte kjo rrugë, ju kurrë nuk na latë vetëm. Ishit e mbeteni fuqia jonë më e madhe, ata që na dhatë vullnet në kohë jo të lehta, e entuziazëm e shtytje përpara në kohë të mira.
Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë ndjenjën e thellë të mirënjohjes për besimin tuaj, prandaj FALEMINDERIT pafundësisht të gjithë 438 mijë e 334 votuesve të listës sonë të referendumit.
Zëri juaj kumboi fuqishëm si kurrë më parë. Nuk ka asgjë më të shenjtë e asnjë përgjegjësi më të rëndësishme se sa ky besim i marrë nga secili prej jush, prandaj do të punojmë që ta kthejmë atë në interes e zhvillim të vendit duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët tanë pa dallim.
Besimi juaj do të jetë udhërrëfyesi ynë në këtë drejtim. Kjo fitore historike, prandaj, më së shumti e mbi të gjitha i takon qytetarëve të Republikës sonë.