Osmani takon Pendarovskin, kundërshtojnë idenë e ndryshimit të kufijve

Kosova Maqedonia


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ciklin e takimeve me disa nga presidentët e rajonit në kuadër të Samitit Bërdo-Brijuni në Slloveni, e ka përmbyllur me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Përmes një komunikate presidenca njofton se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet të dy shteteve fqinje janë vlerësuar të mira, ndërkohë që të dy presidentët janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit.

“Në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror, së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut. Presidenti Pendarovski e ka njoftuar homologen Osmani se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje theksohet se Osmani dhe Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet. /Zëri