Osmani: Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë

Kosova Lajme


Presidentja Vjosa Osmani me shënimin e ditës së Evropes, thotë se është koha që Evropa t’ia hapë dyert Kosovës.
Ajo thekson se për Kosovën çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë.

“Koha që Evropa të hapë dyert për shtetin më pro-evropian në botë. Sot Evropa feston paqen dhe unitetin në të gjithë kontinentin e vjetër. Për Kosovën, sikurse edhe për shumë shtete evropiane, shumë kohë para nesh, çmimi i arritjes së paqes ka qenë i lartë. Prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë shumë që jo vetëm t`i ruajmë, por edhe t`i forcojmë këto vlera të arritura me shumë mund”, thotë ajo përmes një shkrimi në Facebook.

Osmani thekson se vendi po punon drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ne jemi një vend paqedashës dhe qartë me orientim pro-evropian. Ndaj aspirojmë dhe po punojmë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilën gjë do ta bëjmë me dinjitet dhe në interesin e qytetarëve, në rend të parë. Tradicionalisht në këtë ditë, institucionet e BE-së i hapin dyert e tyre për publikun. Ka ardhur koha që ato t`i hapin dyert e tyre për Kosovën”, deklaron presidentja Osmani.
Sipas saj besueshmëria e BE-së dhe e institucioneve të saj varet nga mbajtja e fjalës në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kosova, ndërkaq, duhet të bëjë përgatitjet e nevojshme për aplikim për status të shtetit kandidat në momentin e volitshëm. Ne të gjithë duam një Evropë të suksesshme, të përparuar dhe në të cilën sundon paqja! Ne kemi mbrojtur vlerat civilizuese evropiane edhe në mesjetë, duke përcaktuar një herë e përgjithmonë orientimin tonë strategjik. Ne nuk luajmë me dy karta, ndërmjet lindjes e perëndimit. Integrimi në strukturat euro-atlantike është përcaktimi ynë i përhershëm. Prandaj, le të punojmë me shtetet e tjera evropiane, sepse si një ndër popujt më të vjetër të kontinetit, BE-ja është shtëpi e jona!”, përfundon Osmani. /Zëri