Osmani flet pas takimit me Lajçak: S’do të lejoj që të negociohet me kufijtë e Kosovës. Me Serbinë të trajtohemi si shtete të barabarta

Kosova Lajme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur një konferencë për mediat pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirsolav Lajçak.

Osmani u shpreh se me Lajçakun ka biseduar për dialogun, duke thënë se ky proces ka nevojë për rishikim. Sipas Osmanit, rishikimi i dialogut do të ndihmojë Kosovën të jetë më e përgatitur në mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

“Ne patëm një diskutim shumë përmbajtjesor në takimin me z.Lajcak, të deleguarin e BE-së për dialog, e bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës që për ne procesi i dialogut duhet ta ketë një ‘reset’, një rishikim i cili ndër të tjera do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe të respektojë interesat e veta dhe të qytetarëve në një proces që duhet të rezultojë në njohje reciproke në kufijtë aktual dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Është shumë me rëndësi që sapo të konstituohen institucionet e reja që të gjitha informatat për këtë proces të i drejtohen institucioneve të reja në mënyrë që të gjitha ato marrëveshje që janë arritur të shikohen. Del që Serbia nuk i ka respektuar shumicën e marrëveshjeve”,u shpreh Osmani.

Ndër të tjera, Osmani u shpreh se do të diskutohet vetëm për njohje reciproke.

“Nuk lejohet që të negociohet me kufijtë e Kosovës. Nuk ka çfarë të negociohet për statusin e Kosovës, presim që të përfundojë me njohjen. Është shumë me rëndësi që në këtë proces të kemi një koordinim shumë të afërt me opozitën të i informojmë me detaje sepse vetëm atëherë mund të jemi të suksesshëm. Si presidente do të punoj shumë afër me opozitën me shoqërinë civile dhe mediat e me qytetarët që të kemi një mbështetje të plotë rreth këtij procesi”, tha ajo.