Një gjest i kryebashkiakut japonez me medaljen olimpike ka nxitur reagime, megjithatë tanimë është gjetur një zgjidhje

Bota Sport

Një fitueseje të medaljes së artë olimpike do t’i jepet një medalje e re pasi kryebashkiaku i qytetit të saj të lindjes bëri diçka që nuk është parë më herët.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Takashi Kawamura, kryebashkiaku i qytetit japonez Nagoya, provokoi zemërim në internet kur uli maskën dhe kafshoi medaljen e atletes Miu Goto në një ngjarje.

Ai u akuzua për injorimin e kufizimeve të Covid-19 dhe “mungesë respekti”.

Tani, zyrtarët olimpikë thonë se do të ndërrojnë medaljen e zonjës Goto me një të “pa njollosur”, pasi kryebashkiaku kërkoi falje dhe tha se do të paguante për një zëvendësim të tillë.

Kryebashkiaku u përball me një reagim të ashpër pasi vuri medaljen mes dhëmbëve në një ceremoni javën e kaluar për të festuar fitoren e Japonisë ndaj SHBA-së në finalen e softballit të grave.

Përdoruesit e mediave sociale thanë se akti ishte johigjienik dhe i pasjellshëm ndaj atletes. /Telegrafi/