Në Wuhan të Kinës konfirmohet vetëm një rast me koronavirus

Lugina

Në qytetin Wuhan të Kinës ku shpërtheu epidemia e koronavirusit të ri (Covid-19) në 24 orët e fundit u konfirmua vetëm një rast pozitiv, transmeton AA-ja.

Në njoftimin e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë së Kinës, thuhet se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 21 raste të reja në mbarë vendin prej të cilëve një në Wuhan. Ndërsa, 45 persona mbahen nën vëzhgim me dyshim të koronavirusit.

Ndërkohë, kanë vdekur edhe 13 persona prej të cilëve 12 në provincën Hubei ku bën pjesë edhe qyteti Wuhan, ndërsa një tjetër në provincën Shaanxi.

Me këto shifra numri i të vdekurve është rritur në 3.226 ndërsa numri i të prekurve në 80.881. Gjithashtu, 68.679 persona janë shëruar dhe liruar nga spitalet.

Rënia e rasteve me koronavirus në qytetin Wuhan, ku është zbuluar për herë të parë Covid-19, me vetëm një rast, nënkupton se përpjekjet për të vënë nën kontroll epideminë kanë arritur sukses.

Koronavirusi i njohur zyrtarisht si Covid-19 për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës dhe deri më tani është përhapur në rreth 150 vende dhe territore.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thonë se numri i rasteve jashtë Kinës ka arritur në 83 mijë që do të thotë se ka tejkaluar shifrën e rasteve në Kinë.

OBSH-ja, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.

Deri më tani nga virusi në mbarë botën kanë vdekur 7.174 persona.