Ballina Lajme “Meta kryeministër, Berisha president”, sa fat paska pasur ky Edi Rama!

“Meta kryeministër, Berisha president”, sa fat paska pasur ky Edi Rama!

Nga Skënder Minxhozi/

Kur Ilir Meta u zgjodh president në fund të prillit 2017, shumëkush mendoi se kostumi i ri institucional do ta ndalonte ish-kryetarin e LSI që të bënte fushatë për partinë e tij në zgjedhjet e verës së atij viti. Meta i shpërfilli të gjithë skrupujt moralë dhe etikë të zyrës së re ku po hynte, duke bërë njërën ndër fushatat më të angazhuara dhe më të “djersitura” të karrierës së tij politike. Kërkonte ta linte partinë me një listë sa më të gjatë deputetësh dhe ashtu ndodhi. LSI mori 225 mijë vota në zgjedhje, të cilat më pas i hodhi të gjitha në Lanë, në shkurt të dy viteve më vonë, kur braktisi Parlamentin.

Katër vjet më vonë situata është edhe më e koklavitur për partinë e Presidentit. Të gjitha sondazhet që qarkullojnë në nëntokën politike të Tiranës, këtej dhe andej gardhit të të dy palëve, e japin LSI në një rënie të dukshme mbështetjeje dhe votash. Si të mos mjaftojë kjo, lëvizja e Ramës për të ndaluar koalicionet me lista të veçanta kandidatësh, e ka komplikuar edhe më tej formulën e paraqitjes së opozitës në zgjedhje, e sidomos ka rrezikuar të mpakë në maksimum mandatet që mund të marrin partitë e vogla, të parreshtuara në lista të përbashkëta me dy partitë e mëdha.

Me një gjest nga ata me “bojë simpatike”, që mbajnë pikërisht firmën e Ilir Metës, në media u filtrua orët e fundit një lajm që thoshte se Presidenti Meta do të braktiste postin një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, për të marrë, në varësi të rezultatit konkret, diçka mes postit të kryeministrit, ose të ministrit të brendshëm dhe zv.kryeministrit. Ndërkohë që Sali Berisha do të merrte postin e Presidentit.

Me qëllim lajmi e anashkalonte fare emrin e Lulzim Bashës, si për të provuar se kryetarin e opozitës vazhdojnë të mos e marrin seriozisht në dhomat e errëta të opozitës shqiptare. Aty ku vendimet i merr dyshja Berisha-Meta, aleanca më e vjetër politike e tranzicionit shqiptar. Në njërën anë, Berisha që thotë se do të jetë në parlament edhe pas vitit 2021, pavarësisht komisionit qesharak Nishani, në anën tjetër Meta që sondon terrenin për të njoftuar bazën dhe gjithë të tjerët, se s’ka asnjë mëdyshje për prezencën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht pozitës së kryetarit të shtetit.

Asnjë përgënjeshtrim nuk erdhi për lajmin në fjalë nga Presidenca, e cila zakonisht reagon edhe kur bën golin e rradhës Celtiku. Çka tregon hapur dhe qarte se Ilir Meta ka vendosur të hedhë një shashkë të parë, rreth rolit dhe pozicionit që do të mbajë në zgjedhjet e ardhshme.

Meta ka kohë që bluan në kokë mënyrën sesi do t’i qaset zgjedhjeve të 25 prillit. Mitingu i tij i 2 marsit, në mes të pandemisë së Covid 19, ishte prova e parë konkrete për shpërfilljen totale që kreu i shtetit ka për Kushtetutën, pozitën e tij krejt specifike dhe për pengesat e tjera që i sjell posti, kur vjen fjala për të marrë në dorë flamurin e opozitës.

Me anë të lajmit të pilotuar për marrjen e postit të kryeministrit dhe hapjen e derës për një rikthim të tretë krejt antihistorik dhe skandaloz të Sali Berishës në postin e Presidentit, Ilir Meta synon së pari që të rikonfirmojë se nuk ka ikur kurrë de facto nga poltroni i kryetarit të LSI. Së dyti, kërkon t’u japë zemër të gjithë atyre zgjedhësve të LSI, që në këto zgjedhje do të tundohen të kalojnë tek PD e PS, apo thjesht të mos votojnë fare.

Dhe së treti, e kjo është ajo çka Berisha dhe Meta nuk e kuptojnë ose bëjnë sikur e shpërfillin, afishimi i këtyre dy emrave si përfituesit e mëdhenj të zgjedhjeve të 25 prillit, është në fakt një spot gjigand publicitar në favor të Edi Ramës. Nëse ka një rrethanë, një ndodhi politike, një kombinim diaoblik emrash dhe faktorësh, të cilët i bëjnë punë Ramës sot, është pikërisht dalja dorë për dore e Berishës dhe Metës në të njëjtin podium elektoral në 25 prill. Kur u kujtua se PD do të ndahej më në fund me trashëgiminë e Berishës, del lajmi se ai mund të bëhet edhe një herë president. Kur të gjithë mendojnë se Presidenti i shtetit duhet të qëndrojë larg partive dhe fushatave elektorale, dalin lajmet e telekomanduara të Presidencës që njoftojnë se Ilir Meta mund të heqë qafe postin më të lartë të shtetit shqiptar brenda minutës, siç hiqet me bezdi një shall kur bën vapë, për të marrë menjëherë poltronin e kryeministrit.

Ky trafikim i mundshëm postesh, ky riciklim grotesk emrash që shkojnë kryekëput në kundërshtim me çdo trend e standart normal të zhvillimit të këtij vendi, është në fakt fati më i madh që mund t’i vijë në derë shumicës së lodhur e të konsumuar socialiste. Përhapja në eter e lajmit për Berishën e tretë në Presidencë, është dhurata më e jashtëzakonshme elektorale për Edi Ramën dhe të tjerët në qeveri. Duhet të kesh lindur me këmishë, që të të vijë në derë një fat si ky…

- Artikull i sponzorizuar -

në fokus

Sekretari i Përgjithshëm i OKB: Pandemia tregoi brishtësinë e botës, varfëria dhe tensionet politike po rriten

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar përballë sfidave globale, gjatë një ngjarjeje që shënoi...

Grenell viziton sot Prishtinën/ Në fokus marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell viziton sot Prishtinën. Ai është pjesë e delegacionit që që...

Shëndrit Jahiu: “Për shkak të parimeve, PVD hakmaret ndaj meje duke…”

Këshilltari komunal në komunën e Preshevës nga radhët e PVD-së në një shkrim në rrjetin social Facebook ka shkruar arsyen e tij pse...

Përfundon me sukses gara e peshkimit me tapë “Rahovica 2020”

Përfundon me sukses gara e peshkimit me tape ,,Rahovica 2020”.Më poshtë mund ta lexoni njoftimin nga organizatorët e kësaj gare e cila...