Media po ndihmon politizimin e skajshëm të shoqërisë kosovare

Kosova Lajme Sociale


Eshtë bërë e natyrshme që çdo fjalë dhe lëvizje nga politika kosovare të ketë ndikimin e saj në shoqërinë kosovare, ta diktojë atë, që lirisht mund të themi se nuk do të duhej të ishte e tillë.
Ky fenomen në tranzicionin e tejzgjatur të cilin Kosova po kalon, ndoshta do të duhej të zbutej tani, ngase tranzicioni në shoqërinë kosovare ka kaluar në një stad më ndryshe, disi më emancipues.
Ky ndryshim në ecje si shoqëri, ka shtuar rritjen e vetëdijes dhe ka ulur ndikimin tejmase që kishte politika e pasluftës, megjithëse akoma vazhdon me një intesitet më të ulët.
Ështe e natyrshme angazhimi i spektrit politik i drejtëpërdrejtë karshi votuesve përgjatë kohës së zgjedhjeve, por asesi gjatë periudhës kur ata do të duhej të ishin në krye të detyrave që qytetarët i përzgjedhin dhe marrin obligimet e tyre.
Po të shohim mediat në Kosovë, lirisht mund t´i fusim në “një thes”, sepse pak apo fare nuk dallojnë për nga hapsira që i kushtohet politikës, sidomos gjatë kohës së pikut (mbrëmjes), në kohën kur qytetarët do të duhej të ishin ose duke shiquar apo lexuar gjëra më me interes, të qëndrojnë me familjet dhe bisedojnë për përditshmëritë e tyre, dhe jo t´i shkëpusin lidhjet familjare duke mos biseduar me familjet e tyre tw ngushta, sepse i tërë përqëndrimi është në media, me ç´rast edhe duke i rralluar vizitat për arsye nga më të ndryshmet (njëra ndër arsyet: politizimi).
Ky trend i zhvillimit të politikës kosovare karshi qytetarëve duhet të ndryshojë.
Nevojitet një trajtim më i dinjitetshëm i qytetarëve kosovarë, ata kanë nevoja nga më të ndryshmet, të shtojnë kapacitetet në zhvillim, arsimim, shëndetësi, por njëherit edhe të ruhen dhe të forcohen lidhjet farefisnore, tani gjatë kësaj periudhe të verës kemi edhe ardhjen e bashkëatdhetarëve tanë, ata duhet trajtuar më me dinjitet dhe me një pritje vëllazërore.
Ky politizim duhet të kalojë në depolitizim në të gjitha sferat!
Media duhet ta ndihmojë shoqërinë kosovare, duhet të fillojë t´i ndaj më pak hapsirë politikës, të orientojë kapacitetet e informimit ndaj qytetarëve me probleme dhe të arritura të qytetarëve, t´i ndajë hapsirë kohore arsmimit dhe kulturës, ekonomisë, shëndetësisë, duke e ndihmuar shoqërinë që të fillojnë të mendojnë pozitivisht për këtë vend, që kjo politikë e ka shpartalluar dhe damkosur kaq gjatë, dhe qytetari të mos e ketë në mendjen e tij se cili është prijësi i atij apo këtij sektori, lideri i atij apo asaj partie, të mos jetojë me ankth se sot/nesër qeveria do të marrë vendim për gjëra që fare pak e prekin jetën e tij të përditshme.
Depolitizim nevojitet edhe në sferën e punësimeve në të gjitha rangjet e përbërjes së shtetit, në pranimin dhe dorëzimin e shumë e shumë ofertave në jetën publike.
Edhe pse nuk pritet një depolitizim në afatshkurtë, në këto ritme të pas luftës e deri tani vërehet një ulje tensionesh karshi njëri tjetrit apo përkrahës të subjekteve të ndryshme, dhe me këtë intensitet do të nevojitet edhe një kohë relativisht e gjatë, përveç nësë ndodhin të papritura.
Shkruan: Msc. Skender Berisha