Mbi të gjitha jeta! Pensionisti në Elbasan i bindet izolimit: Kjo nuk është aspak sakrificë

Shqipëri

Sali Dardha është një nga pensionistët që po e zbatojnë këshillën për të qëndruar i izoluar në shtëpi në luftën kundër koronavirusit.

“Krahas detyrimit që kemi për jetën tonë, të familjarëve, të afërmve dhe jetën e komunitetit, kjo nuk është fare sakrificë. Një pikë e vogël në oqean”.

I ndërgjegjshëm për situatën dhe rrezikun që i kanoset ai ka gjetur mënyrën se si të kalojë orët e gjata mbyllur.

“E kam kaluar kohën gjithmonë me leximin e librave, kjo është një kohë e artë për mua.”

Për bashkëmoshatarët por edhe për të rinjtë të cilët lëvizin të lirë ende të pandërgjegjshëm mbi rrezikun, 76 vjeçari ka një mesazh.

“E shumëzojnë me zero jetën e vet por nuk mendojnë as për të tjerët, do të bëhen shkak për infektimin e të tjerërve, përhapjen e sëmundjes”.

Dikur i projektonte ndërsa sot ka mbetur i “burgosur” brenda banesës së tij.

Por me durimin dhe vullnetin se kjo gjendje do të kalojë dhe ai do të dalë që aty shëndosh e mirë.