Mbërritja e 40.800 vaksinave AstraZeneca, Soreca: Krenarë që kontribuam me 2.2 miliardë euro për Shqipërinë

Lajme Shqipëri

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca është shprehur i lumtur që Shqipëria siguroi një ditë më parë 40.800 doza të vaksinave AstraZeneca përmes mekanizmit “COVAX”.

Soreca shkruan se BE ka financuar në këtë mekanizëm 2.2 miliardë euro dhe se kjo është dërgesa e dytë e vaksinave që Shqipëria merr nga ‘COVAX’ për të luftuar COVID-19. Soreca shprehet se BE mbështetet Shqipërinë për të mposhtur këtë pandemi së bashku.

“Të lumtur që Shqipëria ka marrë dozën e saj të dytë të vaksinave përmes COVAX , ku u dorëzuan 40,800 vaksina për të luftuar COVID-19. BE është krenar që kontribuon me 2.2 miliardë € në COVAX. Bashkimit Evropian është këtu për të mbështetur Shqipërinë dhe për të mposhtur së bashku këtë pandemi!” shkruan Soreca në Twitter.

Shqipëria mori dje sasinë e radhës të dozave të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet mekanizmit “COVAX”. Në Aeroportin e Rinasit mbërritën 40.800 doza AstraZeneca teksa në ditët në vijim pritet një tjetër sasi prej 250,000 vaksinash.

Synimi është që të arrihet objektivi prej 500 mijë persona të vaksinuar deri në fund të majit. Nëpërmjet mekanizmit të “COVAX”, Shqipëria ka paguar për 1.140.000 doza nga të cilat kanë mbërritur 38.400 vaksina AstraZeneca.