Lajçi u ankua se paratë e telefonit i shkuan në ilaçe për COVID, qytetarët mbledhin para për t’ia blerë një Iphone 12

Kosova



Aktori i mirënjohur kosovar, Çun Lajçi, ka rrëfyer se për tetë muaj nuk e ka shpenzuar fare pensionin e tij, pasi që siç thotë atij është i dashuruar në teknikë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lajçi ka thënë se i ka kursyer paratë që ta blejë një telefon të modelit iPhone 12.

“Iphon 12 ma rrudhë synin me ato rrush kamerash, që po ua shoh analistave, gazetarve e panelistave çdo natë, (fort e dua), e thojsha shtrengoje rrypin, bani bashkë paret e bleje thiun!”, shkruan ai në Facebook.

Por aktori rrëfen tutje se kur u infektua me COVID-19, tërhoqi nga banka paratë për të cilat tha se nuk i dalin as për ilaçe.

“Kur me mbërtheu Covidi u tuta se po vdes, e menzi shkova deri të banka. Merri paret i thashë vetës, se tybe s’të dalin për ilaçe! Merri se n’vorr nuk t’vyen telefoni!”, ka shkruar Lajçi në Facebook.

E qytetarët në postimin që ka bërë vetë Çun Lajçi janë shprehur të gatshëm që të kontribuojnë me mjete financiare dhe ta ndihmojnë aktorin që ta blejë një iPhone 12.

Disa nga ta janë shprehur të gatshëm të dhurojnë nga 20 euro, e ka pasur edhe të tjerë që kanë ofruar nga 50 euro.