Kryetari i Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës Sami Salihu inicon procedurat për shpalljen e Erion Veliaj “Qytetar nderi” i Komunës së Preshevës

Lajme Lugina Shqipëri

Sami Salihu (Lëvizja për Reforma) Kryetar i Kuvendit Komunal në Preshevë:

“Sot ka përfunduar vazhdimi i Seancës së dytë të Kuvendit komunal të Komunës së Preshevës, seancë e cila për nga kuantiteti dhe kualiteti ishte maratonë në përbërje dhe pika të rendit të ditës.

Ajo çfarë dua të ndaj veçanërisht me ju, qytetarë të nderuar është iniciativa ime, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Preshevës, në bashkërendim edhe me partnerët e koalicionit qeverisës së Komunës së Preshevës, por edhe me mbështetje të opozitës në Kuvend Komunal, është shpallja e z.Erion Veliaj, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës “Qytetar nderi” i Komunës së Preshevës.

Janë të panumërta arsyet që legjitimojnë dhe arsyetojnë shpalljen e z.Erion Veliaj “Qytetar nderi” të Komunës së Preshevës, por veçanërisht do të doja të theksoja angazhimin dhe investimin personal e z.Veliaj për interesat e shqiptarëvë të Luginës së Preshevës, duke i nisur nga promovimi i të njejtit ndaj të drejtave të shqiptarëve të kësaj pjese, duke pasur një qasje pozitive ndaj të rinjëve e të rejave, por edhe studentëve tanë në Republikën e Shqipërisë, interesimin e tij konkret për të rritur gjendjen e mirëqenien sociale e ekonomike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e duke e kurorëzuar me ndihmën konkrete të dhënë për fshatrat Rahovicë e Raincë me vërshimet e ndodhura së fundi.

Një sinergji dhe qasje proaktive e z.Erion Veliaj tregon për politikë ndryshe ndaj shqiptarëve të trojeve e konkretisht ndaj Luginës së Preshevës nga Qeveria e Edi Ramës.”