Kryeministri çek, Andrej Babis, tha se do ta shkarkojë ministrin e Shëndetësisë, Roman Prymula, nëse ai nuk jep dorëheqje për mbajtjen e një takimi në një restorant të mbyllur, nën masat e qeverisë për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Skandali vjen në kohën kur Qeveria çeke po lufton për të ngadalësuar rritjen e numrit të rasteve me koronavirus – aktualisht më të shpejtën në Evropë.
“Kur stafi ynë mjekësor po lufton në vijën e parë për të shpëtuar jetët e bashkëqytetarëve tanë, një gjë e tillë është absolutisht e pafalshme”, u tha Babis gazetarëve.
Skandali shpërtheu të premten kur gazeta Blesk publikoi fotografi të ministrit Prymula duke dalë nga një restorant dhe duke hyrë në makinë pa maskë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Me masat kundër koronavirusit në Çeki kërkohet veshja e maskës, si në ambiente të mbyllura publike, ashtu edhe në të jashtme, ndërsa restorantet janë të mbyllura.