Kosovë, sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Kosova Lajme

Një milion e 794 mijë e 862 votues me të drejt vote, prej tyre 49 mijë e 198 votues për herë të parë, sot vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe Qeveri të Kosovës.

Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Qytetarët me të drejt vote do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2382 vendvotime.

Ndërkohë, 88 prokurorë do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestarë për ditën e zgjedhjeve.

Gjatë ditës së zgjedhjeve subjektet politike, ojq-të dhe qytetarët që mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur mund të paraqesin ankesat në Panelin Zgjedhor në afatin prej 24 orëve nga mbyllja e qendrës së vendvotimit

Demokracia në Veprim do të ketë 500 vëzhgues të cilët do të jenë në qendra të votimit, të vendvotime të ndryshme.

Ndërkohë, shefi i zyrës së BE dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse, u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit.

Gjithashtu, kanë inkurajuar qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.

“BE ka dërguar një mision të ekspertëve të zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor”, thuhet në një komunikatë të përbashkët.