Pak ditë më parë, një pacient i infektuar me Cvid 19, Leonard Skabona, ish-i përndjekur politik, i dha fund jetës, duke u vetëhedhur nga spitali “Shefqet Ndroqi”.
Në studion e emisionit “Me zemër të hapur”, vëllai i të ndjerit, motra nga Italia dhe ish-bashkëshortja, pohuan se gjendja e tij nuk ishte e rënduar, por se kishte dashur vetë të shkonte në spital.
Motra e tij tregoi edhe telefonatën e fundit me Leonardin, duke u shprehur se i kishte rrëfyer faktin që në spital i kërkonin para.
“Unë kam folur për herë të fundit me të në 3 e 18 minuta në Viber. Më mori ai në fakt. Ajo ishte telefonata e fundit. Kam folur përditë se kishim lidhje shumë të afërt”, – shprehet ajo.
E pyetur se si ishte situata, motra deklaron: “Kishte oksigjenin, kollën nuk e dëgjova në fakt. Ditën që më mori, në ambulancë ishte edhe një infermiere me të. Mirë i thashë, po rrimë në kontakt bashkë. Pas atij momenti njoftova edhe vëllain tjetër dhe pastaj edhe një shoqen time. Më tha edhe që do i jap doktoreshës numrin tënd për konsultime. Atij i dukej sikur nuk i bëhej shërbimi nga infermierët. Në tualet shkonte vetë, nuk është se ishte në shtrat. Më tha edhe që këtu duan vetëm lekë më shohin për lekë. I thashë sa lekë ke? Ai më tha kam 80 apo 90 mijë lekë shqiptare me vete. Unë i thashë jepja se t’i nis motra urgjent”.
Ndërkaq vëllai i Leonardit ka treguar: “Të shtunën në drekë e kanë marrë me ambulancë, ka shkuar nga Lezha në “Shefqet Ndroqi”, se çfarë kure i kanë dhënë ne nuk dimë asnjë lloj gjëje. Ne nuk kemi nevojë të gënjejmë, vëllai ka qenë shumë i qetë, jo me nerva. Se kura që mori në Shkodër ishte shumë e mirë, atje i bënë trajtim të mirë”.
Ndërkojë, ish-bashkëshortja e tij, Irena, deklaron: “Nuk ishte i sëmurë për të pasur frikë se do vdiste. Djemtë e mi ishin të revoltuar nga veprimi i të atit se pse shkoi në spital kur nuk ishte për spital. Ai ka pasur kollë. Pasojat e burgut i ka pasur jo vetëm në tru, por dhe në trup. Ka pasur probleme me mushkëritë”, – tha ajo.