Kapet një person me rrezikshmëri të lartë, akuzat e rënda ndaj tij/ Emri

Shqipëri

Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore i shpallur në kërkim, i cili rezultonte me dy emra, është vënë në prangat e policisë së Lezhës në bashkëpunim me forcat RENEA dhe Interpol Tirana.

Kapja e tij u bë gjatë operacionit të koduar “Godull 2020”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e të shumëkërkuarit.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në kushte të larta sigurie, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Godull, forcat e policisë kanë rrethuar banesën e Artur Jakupi alias A. Zh., 40 vjeç, duke bërë të mundur prangosjen e tij.

I dyshuari ishte person i shpallur në kërkim kombëtar nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi Gjykata e Shkallës Parë Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, Jakupi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grabitja me armë “, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 20 vjet burg.

Ndaj 40-vjeçarit për veprime të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë.