Ballina Lajme Kosova Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit: Ishte çmenduri serbe

Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit: Ishte çmenduri serbe

Më 2009 e 2010 ishte dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte.

Atëherë në dëshminë e tij, Jovan Goluboviq asgjë s’kishte fshehur nga ngjarjet që ky thotë se i pa me sytë e tij në tre luftëra që i ndezi Serbia në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

55 vjeçari, polic në pension, rrëfen për pjesëmarrjen e tij në sulmin e shtetit serb në tre ditë marsi të 1998 mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.

”Ajo çka më së shumti më ka mbetur në kujtesë është se ai aksion në Prekaz të poshtëm në Lagjen Jashari, jo që ka qenë mbi përdorim i forcës por ishte çmenduri serbe”.

”Aty ishte gjoja një terrorist me emrin Adem Jashari i cili posedon armatim të madh dhe njësia jonë duhej të bastiste shtëpinë e tij dhe të procedohet nëse zbulohen armë”, thotë ai.

”Unë çuditesha edhe atëherë pse gjithë ky aksion ku bëhet fjalë për një person. Por ne e kuptuam qysh në fillim se gjërat nuk janë të thjeshta dhe aksioni u urdhërua nga kreu i shtetit direkt nga Sllobodan Millosheviq nëpërmjet Jovica Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret të shtetit”.

Urdhrin nga Beogradi për masakrën mbi Jasharët, Goluboviq thotë se e ka zbatuar Goran Radosavljeviq- Guri, shef i xhandarmërisë serbe, që është anëtar i Partisë Përparimtare serbe në krye me Aleksandar Vuçiq.

Goluboviq, kujton se policia vet e provokoi nisjen e sulmit me armë të kalibrave të ndryshme.

”Një makinë policore me megafon nga i cili në gjuhën shqipe është thirrur ‘’Adem Jashari të del dhe të mos bëjë rezistencë’’ sepse kanë ardhur kinse për bastisje. Në një moment dikush nis krismat. Më vonë e kuptuam se dikush nga ana jonë shtiu për të provokuar situatën. Nuk kishte të shtëna nga shtëpitë e Adem Jasharit.”

Në luftimet e Drenicës, Golubovic thotë se mori pjesë personalisht dhe Milorad Ulemek-Legija, kreu i Beretave të Kuqe që ndodhet në burg për vrasjen e Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

”Adem Jashari është ekzekutuar me plumba pas shpine. Ai e ka përdorur njëfarë lloj strehe që e kishte në bodrumin e shtëpisë së tij dhe nga aty është vetëmbrojtur. Ai ka qenë pjesë e Ushtrisë së Jugosllavisë në Slloveni dhe posedonte njohuri për luftime. Opinioni serb nuk e di por disa me siguri kanë dijeni dhe unë me sytë e mi e kam parë që Adem Jashari është prerë në fyt”, deklaron ai.

Goluboviq, flet për skenat lemeritëse pas masakrës.

”I kemi  mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë, kush e drejtoi, e çfarë tabela kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur”.

Për të mos i parë trupat e të ekzekutuarve nga ekipet e gazetarëve, dëshmitari atëherë i uniformuar thotë se u urdhërua varrimi.

”Urdhri ishte i qartë qysh para nisjes në Prekaz na thanë askush nuk guxon të dal i gjallë nga fshati. I kemi  mbledhur trupat  e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë , kush voziti , e çfarë tabelat kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur. Na u dha urdhri që në një livadh të fshatit ti varrosim. Kemi hapur varret dhe i kemi varrosur 32 trupa. Shteti i Serbisë i ka dhënë arkivolet”.

Goluboviq , mbeti pjesë e njësisë speciale policore deri në fund të luftës së Kosovës dhe pa shumë vrasje e tortura ndaj civilëve.

Burri nga Vlastotinci pohon se e di vendndodhjen e një varreze masive në Jug të Serbisë.

”Një kamion –frigorifer i mbushur me mbi 40 trupa të të vrarëve kryesisht civilë nga 2 deri në 72 vjeç është sjellur për t’u djegur në jug të Serbisë në Komunën e Surdulicës. Djegia nuk u bë dhe u dërgua në një vend tjetër që kufomat të fundosen. Unë dhe disa njerëz saktë e dimë ku është ajo varrezë masive”.

”Kur e kam përmendur këtë në Prokurori më thanë mos flisni për këtë rast, me të do të merremi më vonë. Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë”

Ai i akuzon udhëheqësit e sotëm në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, e kryetarin e Kuvendit Ivica Daçiq se heshtin pranë krimeve që janë bërë sepse sipas Goluboviq, ata janë pjesë e kastës që solli gjithë tragjedinë në ish-Jugosllavi.

- Artikull i sponzorizuar -

në fokus

Boban Iliç u dorëzua në burg

Brenda afatit ligjor që Gjykata Themelore e Kumanovës e mori që i dënuari për shkeljen për vdekje të Almirit 4 vjeç, Boban...

Shkon në mbi 70 mijë numri i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 2.886 mostra të dyshuara me COVID-19

Erdoğan: Plani i veprimit për të drejtat e njeriut do të zbatohet brenda një periudhe 2-vjeçare

Erdoğan në lidhje me Planin e veprimit për të drejtat e njeriut: Është përgatitur për t'u zbatuar brenda një periudhe 2-vjeçare.Erdoğan: Plani...

KQZ ka një njoftim shumë të rëndësishëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka nisur numërimi i votave me postë.Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se...