Infektohet nga koronavirus, mjeku pensionist që u rikthye në detyrë për të luftuar Covid-19

Shqipëri

Dhimitër Kraja ose Dr.Luli siç e njohin të gjithë ndoqi “Betimin e Hipokratit” dhe braktisi pensionin për t’u rikthyer në vijën e parë të luftës me Covid-19. Pas 48 vitesh mjeku dhe profesori Kraja iu përgjigj ndër të parët thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë por sot nuk do të mund të jetë më i gatshëm të kontribuojë.

Eksperienca e pashoq e një ndër mjekëve më të mirë në vend do të ishte e vyer për kolegët e tij por që për fat të keq nuk zgjati shumë sepse Kraja është infektuar edhe vetë nga Covid-19.

Dhimitër Kraja është shtruar prej ditës së djeshme në spitalin Infektiv ku po trajtohet nga kolegët për të fituar luftën me koronavirusin. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë që ka njoftuar publikun se @gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi.”

Mjeku i njohur infeksionist është babai i një prej DJ më të njohur shqiptar Vik Kraja.