I mbijetuari i masakrës së Izbicës: S’kam besuar kurrë se një shqiptar u bashkohet serbëve

Kosova Lajme



***

I mbijetuari i masakrës së Izbicës, Milazim Thaçi, ka treguar krejt çfarë ka dëshmuar me sytë e tij në një ditë Bajrami të marsit të vitit 1999.

Ai tregon prej kur nisi ajo ditë e 24 marsit, kur dëgjuan zërat e serbëve, britmat e grave e fëmijëve e çfarë u kishin thënë serbët që i kishin zënë shqiptarët aty.

“Më 24 mars kemi ikur dhe kemi shkuar në Izbicë, kemi menduar se është zonë e lirë por çfare. Rreth e rreth ka pasur shtëpia të serbëve. Kur shkuam aty, dy netë qëndruam, më 28 mars ditë Bajrami e diele, na thanë ta qesim traktorin jashtë. I kemi qitë traktorët jashtë, ata e kanë pasë që t’ua bëjmë më të lehtë, t’i digjnin më lehtë me traktorë. Kur po i shoh erdhën nja tre serbë, erdhën e kallën një kashtë. U thashë të tjerëve se erdhën serbët. Kur erdhën në udhë aty, kërkuan 1000 marka, u thashë serbisht se nuk kam, tha ‘qiti, qiti’, por nuk deshta me ua dhënë. E futa dorën në xhep e ua dhashë 50 marka. Gratë vrapuan të mos na digjnin traktorët se kishim bukë e rroba. Dikush 100, dikush 300 ia jepnin”.

“Në ato fjalë, janë dalë kishin qenë të gatshëm na kanë mbuluar dhe kanë gjuajtur më armë mbi gra e mbi ne. Gratë kanë bërtitë e fëmijët. Çoni tre gishta përpjetë, dikush i çonte e dikush jo. Grave u thanë të shkojnë për Shqipëri, ato u nisën e ne na ulën në rreth të rrugës në livadh. Një kushëri i imi ka qenë invalid. Ia ka marrë një serb vajzën 4-5 vjeç për dy duarsh ia ka gjuajtë dhe mbetë vajza si pa shpirt. Kushëririn e ka goditë”, ka treguar ai për Kohën.

Thaçi thotë se në çdo moment i fyenin me fjalë derisa po i drejtonin për në lëndinën e cila edhe pas 22 vjetësh do të kujtohet si vendi ku u bë një ndër masakrat më të mëdha në Kosovë.

Ai tregon se si arriti që në atë tmerr të shihte sa burra shqiptarë ishin rreshtuar sipas urdhrave të serbëve, deri në momentin kur i kishte rënë të fikët e ishte zgjuar më pas me dy kufoma mbi trupin e tij.

“Na kanë ngritë në këmbë dhe na thanë të kthehemi në anën e majtë e të kthehemi nga arat, na thanë se ne do të na dërgonin për Pejë, e të tjerët për Klinë. Unë i njeha, grupi jonë i parë kishin qenë 33 njerëz. Në krah të djathtë prej ne ishte ai që na dërgoi të përroi. Na ka ndalë aty dhe na ka kthyer në të majtë e na ka thënë të ulemi në gjunjë. Mua nuk di a më ka ra të fiktë, apo nuk e di se çka më ka ndodhë por kur jam zgjuar i kam pasë dy kufoma përmbi. 40 minuta i kamë mbajtë ato kufoma përmbi. Kur na gjuajti me armë, mua më ra si të fiktë dhe isha me gjak e tha se ‘po merrka frymën ende’ e gjuajti edhe një herë, mendova se po thotë për mua. Pas 40 minutash serbi shkoi e grupin e dytë e prunë pas nesh 20 metra e grupin e tretë me të tjerët. Grupa e katërt kanë qenë 500 metra mes nesh e kanë shpëtuar nëntë, këtu jemi shpëtuar vetëm tre”, ka thënë ai.

Me të, tregon se shpëtuan edhe dy të tjerë e disa nga grupi i katërt, me të cilët morën rrugën për t’u rikthyer për të gjetur nëse kishte shpëtuar dikush.

Thaçi ka thënë se gjithë këtë histori e ka dëshmuar edhe në Gjykatën Speciale në Hagë, bile atë për tri herë.

“Po si jo, në Hagë kam qenë tri herë kam dëshmuar”, tha ai, ndërsa përgjigjet edhe për rastin e sotëm të arrestimit të një shqiptari të arrestuar për përfshirje në këtë masakër.

“Për këtë kanë qenë policia speciale kanë pyet mbrëmë, u kam thënë çka di. U kam thënë se nuk e kam njohtë as atë as asnjërin prej serbëve. U kam dërguar sot disa emra të tjerë të njerëzve që e njohin atë person”, tha ai.

“Përveç mbrëmë nuk kanë ardhë asnjëherë”, ka shtuar Thaçi kur u pyet nëse herë tjetër kishin ardhur nga organet e drejtësisë për ta pyetur lidhur me ndonjë të dyshuar. Shprehet i zhgënjyer se si një shqiptar është bashkuar me serbët në kryerjen e masakrës së Izbicës.

“Nuk kam besuar kurrë se një shqiptar i bashkëngjitet serbëve kundër vetit, por paska gjithçka. Siç thanë ata mbrëmë, ai e ka ndërruar emrin e ka jetuar në Serbi. E kishin arrestuar më pas”.

“Thonë se gjaku nuk humb kurrë. Edhe pas 40 vjete, gjaku do të gjendet gjithsesi. Po mbaj ymyd tek Zoti, që të gjitha masakrat do të zbardhet, çka kanë kallë njerëz, dhunuar femra, të gjitha këto do të zbardhen, mbaj ymyd”, ka përfunduar Thaçi.