Sot, 2 shkurt, fillon afati i votimit me postë për aplikacionet e konfirmuara. Sipas afateve të caktuara më herët, periudha e votimit me postë mbyllet më 12 shkurt. Në atë ditë duhet të jenë të pranuara fletëvotimet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Të hënën KQZ-ja bëri të ditur se ka pranuar rreth 131 mijë aplikacione për regjistrim si votues jashtë Kosovës, ndërsa prej tyre janë aprovuar mbi 101 mijë.
Shumë qytetarë nëpër rrjete sociale janë ankuar se ende s’kanë marrë thirrjen telefonike nga KQZ-ja për t’u konfirmuar si votues duke shprehur konfuzion se a duhet apo jo të dërgojnë votën me postë. Procesi i telefonimit për të verifikuar votuesit jashtë vendit është kritikuar edhe nga shoqëria civile.
Zgjedhjet e 14 shkurtit mbahen pasi në fund të vitit të shkuar Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetuese Qeverinë Hoti.
Fushata e partive politike fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt.