Gruaja tregon tmerrin e Rustu

Sport

Rustu Recber, ish-portieri i Barcelonës dhe i kombëtares së Turqisë, vazhdon të luftojë për jetën, pas testimit pozitiv me “Coronavirus”. Partnerja e tij, Isil, ka shpjeguar për “Fanatik” se si ka evoluar gjendja e ikonës së futbollit turk: “72 orët e fundit kanë qenë shumë të vështira dhe shpresoj që tani e tutje do të bëhet më mirë. Dua të falënderoj pafund të gjithë ata që janë me ne, në anën tonë, tani për tani. 

Kjo është beteja e një qenieje të gjallë kundër një virusi të ri, i padukshëm në madhësi dhe që nuk është i njohur për trupin e njeriut. Zbulimi i hershëm është shumë i rëndësishëm. Ky virus nuk qëndron në fyt, ose në hundë… Ai lëviz shpejt dhe krijon fole në mushkëri, ku arrin të shumohet menjëherë dhe shkakton pneumoni të rëndë. 72 orët e para janë shumë kritike. 

Rustu kishte ethe për ditë e orë të tëra. Simptoma të çuditshme, që nuk i kishte ndjerë dhe provuar asnjëherë më parë. Ai kishte dhimbje të forta koke, lodhje, humbje oreksit… Por jo vetëm kaq: lëkura e tij u bë gri, ashtu si buzët. Ai merrte frymë shpejt dhe e kishte të vështirë ta bënte këtë, përveç një kolle, që nuk mbaronte. Nuk fliste dot, kishte një puls të çrregullt”.

Rustu luajti sezonin 2003-2004 te Barcelona, pasi u la i lirë nga Fenerbahce, një vit pasi luajti një Botëror të madh në Kore dhe Japoni, ku e çoi Turqinë në gjysmëfinale. Në ekipin katalanas e filloi si startues, por përfundoi rezervë e Víctor Valdés, më i ri dhe premtues.

Me kombëtaren turke ka luajtur 106 ndeshje. Ai bëri histori me Turqinë, kur zuri vendin e tretë në Kupën e Botës së vitit 2002. Po ashtu, arriti në gjysmëfinale të “Euro 2008”, ku humbi ndaj Gjermanisë.