Gjermani: Në vitin 2020 u regjistru numri më i ulët i orëve të punës në 30 vitet e fundit

Uncategorized

Në Gjermani, për shkak të pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, u regjistrua numri më i ulët i orëve të punës që nga bashkimi i vendit, njoftoi të martën Agjencia Federale e Punës.



“Performanca mesatare vjetore e punës për punonjës u ul me më shumë se 50 orë në vitin 2020”, tha Enzo Weber i Institutit të Kërkimit të Tregut të Punës, i cili operon brenda Agjencisë Federale të Punës.
Vitin e kaluar, numri i orëve të punës u ul me 4.7 për qind krahasuar me një vit më parë, dhe në fund të vitit 2020 arriti në 59.64 miliardë orë pune, që është vlera më e ulët e regjistruar në 30 vjetët e fundit.

Vitin e kaluar, për shkak të kushteve pandemike, numri i përgjithshëm i të punësuarve ra, për herë të parë në 16 vjetët e fundit. Një total prej 44.8 milionë njerëz ishin të punësuar në Gjermani në fund të vitit 2020, që është 1.1 për qind më pak se në vitin 2019.
Rënia e numrit të orëve të punës lidhet kryesisht me masat për të futur punë me kohë të pjesshme në aktivitetet prodhuese gjatë masave të rrepta të mbylljes në pranverë dhe nga nëntori i vitit të kaluar.
Vitin e kaluar, 2.9 milionë punonjës u prekën nga ulja e orëve të punës, e cila është pothuajse tri herë më shumë se në vitin e krizës 2009, kur qeveria gjithashtu subvencionoi punën me kohë të pjesshme si një mekanizëm për të mbrojtur sipërmarrësit nga falimentimi.
“Masat e orëve të reduktuara të punës dhe numrit të zvogëluar të orëve jashtë orarit kanë amortizuar kryesisht tronditjen e tregut të punës”, sipas një studimi nga Instituti i Kërkimit të Tregut të Punës.
Pjesa më e madhe e orëve të punës në sektorin joprodhues janë kursyer nga masat e punës nga shtëpia. Që nga janari i këtij viti, puna nga shtëpia është përcaktuar nga një dispozitë si pjesë e masave për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Kjo dispozitë është në fuqi për momentin deri në fund të prillit.

(Kosova Sot Online)