Ekspertët kërkojnë përgjegjësi për shitjet e pronave jashtë Kosovës

Kosova

Mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit po konsiderohet elementi kyç në procesin e privatizimit në Kosovë. Ekspertët e ekonomisë në vend vlerësojnë që procesi i privatizimit është shndërruar në një biznes privat dhe jo institucional.



Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, vlerësoi se procesi i privatizimit është përcjellë me jo transparencë dhe keqpërdorime, qoftë nga akterët vendës dhe ndërkombëtar.
“Procesi ekonomik i privatizimit ka sjellë sfida të shumta, në rend të parë mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit ka qenë elementi kyç që Kosova shumë më tepër është dëmtuar nga ky sistem se sa që ka përfituar. Kjo më së miri dëshmohet pasi 845 ndërmarrje publike dhe shoqërore janë privatizuar vetëm për 645 milionë euro, tjetra është se kemi rreth 30 mijë hektarë tokë të cilët janë privatizuar për më pak se 90 milionë euro. Po ashtu kemi edhe më tepër se 80 mijë të punësuar që kanë mbet të papunë si pasojë e procesit të privatizimit, këto e dëshmojnë më së mirë dështimin në këtë proces”.
Gërxhaliu ka thënë se nga askush nuk është kërkuar llogari, për keqpërdorimet dhe shitjen e pronave së Kosovës në vendet e rajonit.
“Ne kemi pasë keqpërdorim dhe shitje të pronës së Kosovës në Mal të Zi, në Serbi ,në Kroaci dhe në Slloveni. Për këto askush nuk ka kërkuar llogaridhënie se kush qëndron pas shitjes së këtyre aseteve dhe se sa është dëmtuar Kosova”.

Edhe Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve mendon që ka pasur mungesë të sundimit dhe ligjit në procesin e privatizimit.
Madje ai ka thënë se Qeveria e re duhet ta mendojë rishikimin e këtij procesi.
“Qeveria e ka për detyrë dhe për mandat të kujdeset për një proces që të ndodhë në mënyrë transparente dhe gjithmonë konform procedurave ligjore. Qeveria në anën tjetër duhet të jetë e kujdesshme se çfarë qasje do të ndjek dhe se a do të ketë nevojë që pikërisht në procesin e privatizimit disa nga aspektet ligjore dhe procedurale të rishikohen”.
Ujkani ka folur edhe për aferat e fundit dhe blerjen e qindra hektarëve me çmim shumë të ulët, derisa ai ka propozuar që këto rastet duhet të hetohen pasi që janë në interes të publikut.
“Unë gjykoj që vërtet ka pasur një mungesë të sundimit të ligjit dhe është një prej dukurive, por jo vetëm në procesin e privatizimit dhe ka qenë determinata kryesore por edhe në procesin e privatizimit që aferat e fundit dhe blerja e hektarëve është diçka që duhet të hetohet, sepse është në interesin publik që të ardhmen mos të ndodh diçka e tillë”, ka thënë Ujkani./eo/