E ardhmja e Messit, “France Football” e vesh me fanellën e PSG-së

Sport

E ardhmja e Lionel Messit është e destinuar të jetë një nga temat më të diskutuara nga tani deri në verë, kur skadon kontrata “faraonike” që e lidh atë me Barcelonën. Javët e fundit, thashethemet e kanë afruar “Pleshtin” me Paris Saint Germain dhe “France Football”, revista prestigjioze franceze që jep “Topin e Artë”, ka arritur deri aty sa ta vendosë “yllin” e Barcelonës në faqen e parë, të veshur me uniformën e PSG-së, me sfond stadiumin “Parc des Princes”. Një shenjë se gjërat po lëvizin në atë drejtim.
Në letër, Messi tashmë mund të nënshkruajë një marrëveshje me parizienët gjatë muajve të ardhshëm dhe në Francë janë të sigurt se po bëhen të gjitha manovrat për ta bindur atë të pranojë propozimin e Al-Khelaifi.
“Asi nën mëngë”, që PSG po përpiqet të luajë, mund të gjendet te disa elementë: nga njëra anë ka kolegë si Di Maria, të cilët do të ishin të kënaqur të qëndronin me kampionët e Francës nëse do të vinte Messi, por është edhe Neymar, me të cilin Leo është në kontakt të vazhdueshëm.
Sipas “France Football”, braziliani po punon shumë për t’i treguar harmoninë që mbretëron në dhomat e zhveshjes së Parisit. Nga ana tjetër, është trajneri Mauricio Pochettino, i cili gjithashtu është formuar në shkollën Newell’s Old Boy dhe që pa dyshim do të ishte i gatshëm të luante të gjitha kartat për të stërvitur një nga futbollistët më të mirë të historisë.
Megjithatë, ekziston çështja ekonomike: Messi ka një kontratë kolosale, me vlerë mbi 70 milionë euro neto në sezon, por duke marrë parasysh moshën e tij (ai do të mbushë 34 vjeç në qershor) dhe krizën ekonomike në mbarë botën e futbollit , ai do të duhet të bëjë kompromis në mënyrë të pashmangshme, qoftë me Barcelonën ashtu edhe me një klub tjetër, nëse do të ndryshojë ambient.
Sipas skenarit të “France Football”, PSG mund të provojë një manovër të stilit “Beckham”, duke ia plotësuar pagën “faraonike” me lloje të tjera shpërblimesh dhe me projekte pas karrierës. E gjitha kjo, natyrisht, nëse Mbappé do të qëndrojë. Në të kundërt, pra në rast të transferimit të “yllit” francez në një klub tjetër, do të ishte më e lehtë për të përmbushur kërkesat e Leos. Projekti i Pochettinos dhe perspektivat e klubit duhet të ndryshojnë rrënjësisht. A do të ishin të gatshëm klubi, dhe posaçërisht tifozët, të bënin një sakrificë të tillë?