Dritan Abazoviç: Këto janë raportet e mia me Albin Kurtin e Edi Ramën

Lajme

Shqipëria duhet të jetë më e pranishme dhe të interesohet më shumë për çështjet e shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo është kritika që ka zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç për vendin tonë, ndërsa shton se, megjithatë, së fundmi ka parë një ndryshim të situatës për mirë.

Në një intervistë për “ABC” të dhënë për analistin Mentor Nazarko, Abazoviç tregon ndër të tjera vizionin që ai ka për të ardhmen e rajonit, por edhe për marrëdhëniet që ka me liderët shqiptarë Edi Rama dhe Albin Kurti.

“Shqipëria është e pranishme, por ekziston një mundësi për të qenë shumë më e pranishme se është. Në kohën e kaluar nuk pata mundësi për ta dhënë mendimin tim personal si politikan. Kam qene i frustruar me mosinteresimin e Shqipërisë për çështjet në Mal të Zi, ose ai interesim ka qenë shumë i vogël. Dua me konstatuar se në vitet e fundit ka filluar me ndërruar ajo çështje dhe e shoh se ekziston një interesim më i madh,” shprehet zv/kryeministri i Malit të Zi ndërsa thekson se së shpejti do të vizitojë edhe Tiranën.

Abazoviç në intervistën e dhënë për analistin Mentor Nazarko u shpreh se dialogun Kosovë-Serbi e përkrah maksimalisht. Sipas tij, pa njohje të ndërsjellë mes dy shteteve, nuk mund të ketë një zgjidhje të ngërçit.

“E përkrahim maksimalisht dialogun, ne mendojmë që jashtë asaj nuk mund të gjendet zgjidhje. Dihet si ka me përfunduar. Pa njohjen e dy shteteve, ky problem nuk mundet me u zgjidh. Maksimalisht, qeveria e Malit të Zi, unë personalisht, dhe të gjithë anëtarët e qeverisë, jemi që të dyja palët ta zgjidhin në mënyrë sa më demokratike…dhe të kemi një ardhmëri shumë më paqësore…”


Ndërsa, i pyetur për të përbashkëtat dhe ndryshimet që politikat e tij kanë me ato të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Abazoviç tregoi se diferencat lindin kryesisht nga rrethanat e ndryshme të dy shteteve.

Siç shpjegon vetë, politikat e tij kanë një frymë më evropiane krahasuar me ato të liderit të Kosovës.

“Kam një respekt të jashtëzakonshëm për Kurtin. Ndoshta i kena pak politikat ndryshe. Politika ime është ma shumë e frymëzume në mënyrë evropiane. Nuk them se politika e Kurtit nuk është frymëzuar në atë drejtim. Por besoj se çështjet në Kosovë nuk janë njësoj si nga Mali i Zi dhe besoj se kjo ka ndikuar shumë në percepsionin e politikës. Mund të them që raportet me qeverinë e Kosovës, tani për tani i kemi shumë të mira. Pres shumë shpejt do të vizitoj Prishtinën. Shpresoj që edhe ata do ta japin një frymë të re atje.”

Kurse, për Edi Ramën, Dritan Abazoviç tha se nuk e shqetëson fakti që ai përkrahu kolegun e tij Milo Gjukanoviç në zgjedhje. Ai beson që kreu i qeverisë në Shqipëri  do të bëjë zgjedhjet e duhura në zgjedhjen e ministrave këtë mandat të tretë.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi theksoi se qeveria e tij është e gatshme për raporte të mira me vendin tonë dhe se pavarësisht diferencave, çështjet madhore si ato të rajonit, i shohin njëlloj.