Drejtuesit e FRD-së vijojnë të qëndrojnë në zyra, kryetari Sali Shehu letër Bashkisë Tiranë

Shqipëri

Drejtuesit e Frymës së Re demokratike vijojnë të qëndrojnë në zyrat e tyre në godinën trekatëshe në rrugën Abdi Toptani në Tiranë, pavarësisht se në mesditë policia bashkiake kërkoi që ata t’i lironin ato.
Kryetari i FRD-së, Sali Shehu dhe mbështetës të opozitës mbeten në katin e tretë të ndërtesës, ndërkohë që në mjediset e saj mungon energjia elektrike.
Gazetari Renaldo Salianji raportoi në edicionin qendror të lajmeve në Euronews Albania se gjatë pasdites kryetari i FRD-së Shehu i ka dërguar një letër sqaruese Bashkisë së Tiranës për çështjen e shfrytëzimit të mjediseve.
Shehu ka hedhur poshtë pretendimet se FRD duhet të dalë nga godina pasi nuk ka deputetë dhe nuk përfaqëson as 1% të elektoratit. Ai ka theksuar se për përqindjen e elektoratit, ligji e thotë “për tre zgjedhjet e fundit parlamentare në shkallë vendi”.

Euronews Albania shqyrtoi të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në zgjedhjet e vitit 2017 FRD rezultoi nse ka marrë 5,118 vota (0.32%), ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013 pati marrë 23,200 vota (3.11%).
Kryetari i FRD-së në shkresën drejtuar Bashkisë Tiranë ka theksuar se kërkesa për të liruar mjediset ka qenë pa firmë dhe pa vulë institucioni, dhe kjo gjë e bën edhe më të rëndë çështjen duke qenë edhe një muaj përpara zgjedhjeve.
Ditën e sotme pati përplasje fizike pasi policia nisi të ekzekutonte një urdhër të Bashkisë Tiranë për lirimin e zyrave të FRD-së, të cilat ndodhen në godinën ku deri në vitin 2013 ka patur selinë Partia Demokratike.
Pas vitit 2013 me vendim të qeverisë godina i kaloi Bashkisë Tiranë, e cila në një pjesë të saj ka vendosur shërbimet e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, sektorë të burimeve njerëzore si dhe disa zyra të drejtorisë juridike.
Zyra për shtyp e Bashkisë Tiranë tha se lirimi i zyrave të FRD-së bëhej sipas një praktike të kryer edhe me parti të tjera jo-parlamentare si Lëvizja e Legalitetit, Demokracia Sociale, apo Partia Demokristiane. Bashkia tha se “për sistemimin stafit dhe njësive administrative” pas tërmetit, duke qenë se shumë ambiente publike janë dëmtuar, “të gjithë partive politike që nuk janë parti parlamentare u është kërkuar të lirojnë zyrat”.
Këtë e konfirmoi për Euronews Albania edhe vetë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.
Përpjekja për të nxjerrë nga zyrat FRD-në është konsideruar nga Presidenti Ilir Meta si “grusht shteti”, ndërsa nga kryetari i PD-së Lulzim Basha si “sulm ndaj opozitës”.
FRD ka qenë në koalicion me PS-në në zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Muajin e fundit, pas largimit të kryetarit Bamir Topi, FRD iu bashkua opozitës.