Begaj: Nuk kemi përkrahje nga Ministria e Shëndetësisë, jam bërë monton duke e përsëritur

Kosova

Malisheva vazhdon të jetë komuna me situatën më të rënduar sa i përket të prekurve me Coronavirus, me gjithsej 39 të infektuar.

E, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, në një prononcim tha se situata gradualisht po përmirësohet.

Ai thotë se disa pacientë janë gati të lirohen nga spitali.

“Gjendja është e pacientëve është e mirë, dhe stabile si gjithherë, edhe ka përmirësim tek disa, por ka edhe të tjerë që e kanë kaluar virusin. Së shpejti pritet të lirohen pacientët e pare në shtëpi”, u shpreh ai.

Begaj tha se deri tani nuk kanë mungesë me ushqime për familjet në karantinë.

“Furnizimet me ushqime për familjet e izoluara momentalisht janë në nivel, po mundohemi me i dalë ballë kësaj pandemie”, deklaroi Begaj.

I pari i Malishevës foli edhe për orarin e kufizuar të lëvizjes në komunën që udhëheq ai.

Ai tha se orari kryesisht po respektohet, përjashtuar disa raste.

“Orari i kufizimit të lëvizjes kryesisht po respektohet, me përjashtim të 10-11 rasteve, dhe ata janë shoqëruar në stacionin policor në Malishevë për procedura”, tha ai.

Begaj që pas shfaqjes së Coronavirusit në Malishevë është ankuar se institucionet nuk e kanë mbështetur komunën e tij, thotë se ende po vazhdon situata e njëjtë.

“Jam bërë monoton duke e përsëritur, mirëpo vërtetë nuk kemi mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë. Ata nuk kanë reaguar fare edhe pas deklaratave të mija”, përfundoi ai.

Kujtojmë se deri tani në Kosovë janë 112 të infektuar me Covid-19.