Ideja e hedhur së fundi nga Albin Kurti për bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes një referendumi duket se mbështetet nga shumica e qytetarëve. Të pyetur nga Ora Neës shumë prej tyre mendojnë se ky veprim është i vonuar dhe se duhej të ishte bërë më parë në vitet që pasuan pavarësimin e Kosovës.
13 vjet më parë Kosova shpalli pavarësinë ndërkohë që gjatë kësaj kohe në të dyja anët e kufirit është diskutuar për bashkimin mes dy shteteve.
Ideja e heqjes së kufirit është përmendur nga kryeministri Rama dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, por më i zëshmi ka qenë fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, kandidati për kryeministër Albin Kurti.
Në ditëlindjen e 13 të shtetit të Kosovës, Kurti i është rikthyer idesë së bashkimit kombëtar përmes një referendumi.
Por qytetarët në Shqipëri mendojnë se kjo nismë është e vonuar.
“Jemi të vonuar, duhet të ishte bërë me kohë. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët e Maqedonisë.”
Ka nga ato që përtej retorikës politike të liderëve në Tiranë e Prishtinë, besojnë se dy vendet do të bëhen bashkë një ditë.
“Një e ardhme do të vijë, do të bashkohen, nuk ka rëndësi tani apo më vonë.”
Të tjerë qytetarë i kanë shpresat tek fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti.
“Ishalla e bën ky që fitoi tani në Kosovë, vetëm ata janë atdhetarë”.