Artan Fuga(opinion) :Ruajtja e trashëgimisë kulturore

Shqipëri

Në ruajtjen e trashëgimisë kulturore më e rëndësishmja, ajo që duhet ruajtur është koha që materializohet në kështjella, kisha, xhami, sahate, muze, puse, rrugë, ura, sheshe, banesa, xhubleta, afreske, piktura, skulptura, etj.

Cfarë do të thotë të ruhet koha? Pra, të ruhet sa më shumë nga materialet, arkitektura, format, volumet, e dikurshme, sikurse kanë qenë ato dyqind, treqind, njëmijë vite më parë. Sigurisht duke i restauruar me kujdes, mirëmbajtur, freskuar, hequr shtresat që vitet kanë shtuar e mbivendosur atje artificialisht, etj.

Por, jo të ribëhen nga e para, të pastër, modernë, të kthyer në surrogaton e asaj që ka qenë, që kurrë nuk ka qenë ashtu sikurse e kanë bërë.

Restaurimi nuk është rindërtimi nga e para për ta bërë butafori, skenografi, objekt për ta vizituar turistë budallenj nga kjo anë që i habit me gjera “fake”.

Nën maskën e restaurimit kështu bëhet çvleftësimi i trashëgimisë kulturore. Gjithça bëhet nikel por është fallco, është e stilizuar sipas së sotmes, është e degraduar!

Ti shkon të vizitosh diçka të vjetër të kombit tënd dhe sheh se aty ka vënë dorë muratori i lagjes, e ka ndotur të kaluarën, me ndonjë tender që ka kollofitur dhe gjysmat i ka ndarë me dreqin e të birin!

Unë midis ribërjes me shtesa apo nga e para sipas shijeve dhe materialeve të sotme, të monumenteve të trashëgimisë kulturore apo të rrinë ashtu të vjetër sikurse kanë qenë, më mirë preferoj të jenë ashtu si kanë qenë sa të shoh monumente antike prej guri dhe mermeri të shtuar me tulla të sotme, të shoh kisha me gur të dikurshme shtuar me veranda me tulla dhe lyer me gëlqere të sotme, kur u ndryshua ora e sahatit të vjetër me një orë më duket të prodhimit kinez dikur, qysh atëhere nuk e shoh më sa është ora!

Se kështu ne nuk kemi më të ruajtur të kaluarën tonë, por është e sotmja që pretendon të hiqet se ka gllabëruar të kaluarën.

E sotmja hiqet si e kaluara! E ka pushtuar atë! Dëshiron të përjetësohet në qindra vite të kaluara dhe në qindra vite të ardhme. Dp të mbikalojë frikën e përkohshmërisë!
Kush guxon ta përçudnojë kështu traditën kulturore të vendit, ndërtesa, monumente, etj.?