Ancelotti: Reali është shtëpia ime, përsëritim sukseset e të kaluarës

Sport

Carlo Ancelotti rikthehet të drejtojë Realin e Madridit plot 6 vite pas eksperiencës së tij të parë në stolin e Los Blancos, teksa vetëm dy ditë pas zyrtarizimit, ka ardhur edhe prezantimi në ambientet e klubit gjigant spanjoll.
“Dua të falënderoj presidentin dhe të gjithë drejtuesit që më kanë vlerësuar dhe më kanë rikthyer këtu. Jam shumë i lumtur që kthehem, pasi Reali është shtëpia ime dhe do të vë në dispozicion të gjithë energjitë e mia, për të përsëritur sukseset që kemi arritur edhe në të kaluarën. E di çfarë do të thotë të stërvitësh Realin e Madridit dhe jam gati të bëj më të mirën”, u shpreh Ancelotti.
Nuk kanë munguar as pyetjet mbi merkaton, teksa emrat e përmendur kanë qenë ata të Sergio Ramos, Kylian Mbappe dhe Hirving Lozano, por Ancelotti ka dribluar me kujdes në përgjigjet e tij.
“Natyrisht që do të flasim për merkaton me drejtuesit, pasi ene nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Deri atëherë nuk mund të them asgjë për të ardhmen e Ramos. E njëjta situatë vlen edhe për Mbappe, ndonëse dihet që me futbollistë cilësorë ke më shumë mundësi të fitosh. Për Lozanon kam shumë respekt, por nuk e di a është i përshtatshëm për të luajtur te Reali”, tha tekniku italian.
Sa i përket skemës dhe mënyrës së lojës që dëshiron të aplikojë, Ancelotti i ka idetë e qarta, pasi thekson se vetë historia e Realit është e prirur drejt një futbolli sulmues e spektakolar./SS