A mund ta bllokojë Lista Serbe formimin e qeverisë?

Kosova

Kushtetuta e Kosovës përcakton se zgjedhja e ministrave dhe zëvendësministrave të komuniteteve bëhet pas konsultimit me partitë që përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë.
“Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë”, thuhet në nenin 96 të Kushtetutës së Kosovës.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë, se edhe në rast se Lista Serbe refuzon të nominojë kandidatët për ministra në Qeverinë Kurti 2, ky subjekt nuk mund ta bllokojë procesin e formimit të qeverisë së re.

“Ata mund ta bllokojnë (Albin) Kurtin që të zgjedhë një emër tjetër nga radhët e komunitetit serb, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por nuk mund ta bllokojnë procesin pasues, atë të votimit të qeverisë, e cila mund të zgjedhet nëse i merr 61 vota, pavarësisht se të cilit komunitet janë”, tha Kryeziu.

Sipas tij, Lista Serbe nuk ka zgjidhje tjetër pos që të emërojë kandidatët e saj.
“Kjo është e drejtë e tyre kushtetuese dhe duhet ta shfrytëzojnë. Për matematika të tjera e lojëra politike nuk jam i njoftuar, por krejt çka mund të bëjnë është që të lënë bosh dikasteret ministrore”, shtoi Kryeziu.

Por, ligjëruesi i Sociologjisë, Artan Muhaxhiri thotë se një qeveri mund të jetë kushtetuese, vetëm nëse përbëhet edhe nga komunitetet joshumicë. Ai e sheh problematike edhe fuqinë e Listës Serbe, pasi konsideron se ky subjekt ka arritur të “manipulojë edhe një pjesë tjetër të komuniteteve pakicë”.
“Fuqia politike dhe pushteti real i Listës Serbe është rritur shumë dhe është pak e besueshme që kjo Listë, e instrumentalizuar nga Beogradi, nuk do të tentojë që ta maksimalizojë pushtetin e saj”, tha Muhaxhiri.
“Nëse Lista Serbe edhe zyrtarisht mban qëndrimin se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti, atëherë unë shoh probleme të mëdha kushtetuese për themelimin e Qeverisë së re të Kosovës. Duke i ditur edhe qëndrimet e zotit Kurti në raport me Listën Serbe, ka një antagonizëm ekstrem dhe është e pritshme që të ketë probleme të konsiderueshme në plotësimin e obligimit kushtetues, që është përfaqësimi politik i pakicës serbe në Qeverinë e Kosovës”, shtoi Muhaxhiri.