Lajme Lugina

Koha për reflektim në Preshevë

Autor: Fatlum Q. Hetemi



Asnjëri subjekt politik nuk e ka luksin për t’u gëzuar, përjashto LR-në e Sami Salihut që ka një rritje të vogël. Prandaj, koha për reflektim është e domosdoshme për secilin subjekt, duke nisur nga:
Alternativa për Ndryshim, e cila ndonëse në qeverisje prapë performoi më keq se në zgjedhjet e fundit. Kjo mund të vijë për dy arsye: Mungesa e diasporës në votime ose tregues se votuesi shqiptar në Preshevë idenë e ndryshimit nuk e sheh si mundësi të realizimit përmes këtij subjekti. Në bazë të rezultatit mund të jetë e para, por gjithsesi: le të reflektojnë drejtuesit!
Partia Demokratike Shqiptare, e cila jo që nuk arriti ta rrisë numrin e votuesve, por edhe të pësojë rënie në këto zgjedhje. Pavarësisht mundësive e gabimeve nga pozita në qeverisje lokale, ata prapë nuk arritën të imponohen si zgjidhje kryesore në mundësinë e ndryshimit përmbajtjesor. Te kjo parti ka ndikuar procesi zgjedhor brendapartiak, si dhe mënyra e bërjes fushatë. Le të reflektojnë drejtuesit!
Partia për Veprim Demokratik pritshmëritë i ka pasur shumë më të mëdha, por realitetin e ka pasur gjithnjë më kokëfortë. Ndonëse çdo ditë paraqiste aderime të reja nga degë të ndryshme, ata prapë votën e angazhimin e bënin vetëm në qytet. Drejtuesit e kësaj partie duhet ta kuptojnë se vota ka edhe jashtë qytetit dhe strategjinë e reformat duhet t’i bëjnë më gjithëpërfshirëse. Kjo strategji e deritashme prodhon të njëjtën gjë, prandaj le të reflektojnë drejtuesit!
Lëvizja për Reforma në këto zgjedhje mund të gëzohet deri në një masë. Them deri në një masë për shkak se pritshmëritë kanë qenë më të mëdha dhe mendoj se rritja e tyre më shumë ka ardhur si rezultat i heshtjes dhe qasjes së përdorur nga Sami Salihu në terren, sesa si një model qeverisjeje apo opozitëbërje e mirëfilltë.
Përndryshe, në përgjithsësi, fushata ka qenë shumë e varfër si përmbajtje dhe formë. Kjo varfëri do të reflekohet edhe në qeverisje. Uroj ta kem gabim!

Shëndet!